Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës njoftoi të shtunën se ka ngritur aktakuzë kundër pesë komandantëve të lartë të ushtrisë së Republikës Sërpska, nën dyshimin për krime lufte në një fshat në afërsi të qytetit veriperëndimor të Bosnjës, Prijedor, në vitin 1992.
Në aktakuzë thuhet se pesë komandantë e ushtrisë së Republikës Sërpska: Veljko Brajiq, Sllobodan Taranjeq, Ranko Kaurin, Branko Xhenopoljeq dhe Drashko Topiq, morën pjesë në sulmin e armatosur të artilerisë dhe këmbësorisë në fshatin e pambrojtur Brishevë, si dhe në qytezat përreth Prijedorit, i cili banohej kryesisht nga popullata civile e kombësisë kroate, në fund të korrikut 1992.
“Asokohe, brenda vetëm pak orëve, u vranë 61 njerëz, ndër të cilët më i riu ishte një djalë 16-vjeçar, ndërsa viktima më e moshuar ishte 81 vjeçe, si dhe një viktimë e mitur me kombësi boshnjake. Tre persona u zhdukën, eshtrat e tyre nuk janë gjetur deri më sot”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës.
Disa viktima u përdhunuan dhe u abuzuan seksualisht gjatë sulmit dhe dhjetëra njerëz, kryesisht burra, u dërguan në kampet e Prijedorit, sipas aktakuzës.
Disa viktima vdiqën gjatë transportit dhe të paktën tre komplotistë të sjellë nga Brisheva u vranë në kampin Omarska.
“Gjatë sulmit, ndërtesat fetare dhe civile u shkatërruan dhe u dogjën, dhe popullata civile e mbijetuar nga vendbanimi Brishevë dhe vendbanimet e tjera fqinje u dëbua dhe u zhvendosën me forcë nga ajo zonë, rreth 350 civilë”, sipas aktakuzës.
Trupat e një numri të madh viktimash u gjetën, u zhvarrosën dhe u identifikuan gjatë viteve 1997, 1998 dhe 2001.
Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës do t’i vërtetojë akuzat duke thirrur 143 dëshmitarë, nga të cilët pesë dëshmitarë do të dëshmojnë nën masat e caktuara mbrojtëse, dy ekspertë, si dhe me dorëzimin e më shumë se 300 provave materiale.
Në Prijedor dhe qytetet përreth u vranë 3,176 njerëz.
Rreth 30,000 persona të kombësisë joserbe kaluan nëpër kampet Trnopolje, Omarska dhe Keraterm në Prijedor.
Për krimet në Prijedor, sipas informacioneve të shoqatës së viktimave, janë dhënë rreth 50 aktgjykime të plotfuqishme dhe janë shqiptuar dënime me rreth 800 vjet burg në total.
Njëmbëdhjetë persona u dënuan në Hagë dhe katër të tjerë në Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës, pasi çështja e tyre u transferua nga Tribunali i Hagës në Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës. /REL/