4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Ish-ministri Mehaj: Shërbimi i obligueshëm ushtarak nuk pranohet nga partnerët në këtë fazë

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë një përmbledhje të punëve të tij gjatë detyrës si drejtues i Ushtrisë.

Mehaj ka thënë se një nga punët që ai, bashkë me qeverinë, e kanë arritur ka qenë heqja e kufizimit të numrit të pjesëtarëve të FSK-së.

“Gjatë mandatit të drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ndër punët tona kryesore ka qenë heqja e numrit të kufizuar të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këtë e arritëm me koordinim të plotë me gjithë partnerët edhe me të gjitha partitë që e duan Ushtrinë e Kosovën. Kjo është bërë me qëllim që numri i ushtarëve të rritët dhe kjo të behet për sigurinë dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Republikës sonë”, ka thënë Mehaj.

Ndër të arriturat tjera, Mehaj thotë se është edhe futja e lëndës së Edukatës për Siguri në planprogramet shkollore, praktikë kjo e cila, sipas tij, është marrë nga shtetet skandinave, “praktika këto që janë treguar të suksesshme për të rinjtë”.

Ai thotë se gjatë mandatit të tij në krye të Ministrisë, është punuar edhe në konceptin e Rezervës vullnetare, i cili thotë se si dokument në tërësinë e tij i është lënë pasardhësit të tij, Ejup Maqedoncit.

“Ketë ide e kam marrë nga përvoja e shteteve baltike e vendet e tjera. E veçanta e kësaj Rezerve është së edhe diaspora e jonë që kanë dy shtetësi mund të angazhohet nga 10 deri 12 ditë në vit. Këtë propozim e kam paraqitur edhe pran Komisioneve të Kuvendit të Kosovës në vitin 2022 ku kam thënë se Kosova duhet t’i ketë 20.000 rezervistë vullnetarë, sipas nevojës shtetërore”, u shpreh Mehaj.

Por, thekson se ideja e shërbimit të obligueshëm ushtarak në Kosovë, “nuk pranohet nga shtetet partnere në këtë fazë dhe nuk i përshtatet Kosovës në vitet në vijim”.

“Domethënë, duhet t’i përmbahemi planit siç është hartuar me shtete partnere deri në anëtarësimin në NATO, pikë. Mos të humbim më kohë me fjalë të kota por të punojmë për mirëqenie, shkollime, armatime shtesë, sigurime shëndetësore, sigurime jetike, paga, shtesa për trajnime në terren e të tjera”.

Ai thotë se ka plane “të gatshme” edhe për kazerma moderne.

Ish-ministri thotë se shumë ligje, akte nënligjore, e mbi të gjitha buxheti, blerja e armatimit më modern, i cili i tejkalon pritjet e publikut dhe strategjitë shtetërore për mbrojtje dhe siguri, “e kanë përmbushur obligimin që Kosova të jetë pjesë e NATO-së”.

“Këtë e kemi treguar qysh arrihet me punë e jo me fjalë. Veç duhet të ju përmbahemi vijave të cilat i kemi lënë dhe të mos anashkalohen”, potencoi Mehaj, teksa shtoi se “Kosova e ka vendin në NATO”.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta mbyllte “njëherë e përgjithmonë problemin me Serbinë, aleatin satelit të Rusisë në Ballkan”.

“Ushtria është art, andaj së pari duhet të kesh shkollim adekuat, të kuptosh, të dish, ta duash me punë e jo me fjalë të korridoreve apo të kafeve. Asnjë luftë nuk luftohet e as nuk fitohet pa partnerë sot e përjetë. Kjo është e vërteta. Fokus i Kosovës në vitet në vijim: përfundimi i të gjitha obligimeve, sepse uniforma është e shenjtë dhe këtë duhet ruajtur me çdo kusht”, tha ish-ministri i Mbrojtjes.

Ai thotë se krahas uniformes së ushtrisë, uniformë e shenjtë është edhe ajo e policisë, të cilat ai thotë se janë pasardhëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndër të tjera, Mehaj kërkoi reagim të ashpër ndaj Serbisë nga faktori ndërkombëtar. Madje ai propozon që fabrikat ndërkombëtare të hapura në Serbi, të mbyllen e të hapen në Kosovë.

“Për këtë jemi ende në pritje të gjithë. Për të larguar Serbinë përfundimisht nga hapat jodemokratikë e kërcënues, duhen hapa konkretë. Një opsion ndërkombëtar do të ishte tërheqja e fabrikave të investuara në Serbi dhe transferimi i tyre në Kosovë. Por këtë nuk po e bën Evropa ende. Ky është një propozim konkret imi”, theksoi ish-ministri.

Ai thotë se hapja e fabrikave dhe punësimi i të rinjve në Kosovë do të mund të ndalojë emigrimin.

Një rol kyç në hapjen e fabrikave në Kosovë, sipas tij, mund të luajë edhe diaspora, e cila thotë se është aset i rëndësishëm ekonomik i Kosovës.

“Dhe potenciali ynë vendor dhe impulsi i diasporës do të mund të arrijë suksese të mrekullueshme dhe Kosovën tonë të e bëjmë sikur shtetet evropiane deri më 2030”, përfundoi ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Më 8 gusht, Armend Mehaj dha dorëheqje nga drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img