Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, derisa ka përmendur disa nga të arritur e kësaj ministrie gjatë mandatit të tij, ka thënë se Kosova e ka vendin në NATO.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Mehaj ka thënë se anëtarësim në NATO do ta përmbyllte përgjithmonë problemin me Serbinë.
“NATO është shtëpia e jonë e përbashkët me SHBA-të dhe aleatët e tjerë. Anëtarësimi ynë në NATO do e mbyll një herë e përgjithmonë problemin me Serbinë, aleatin satelit të Rusisë në Ballkan. Ushtria është art, andaj së pari duhet të kesh shkollim adekuate, të kuptosh, të dish, ta duash me punë e jo me fjalë të korridoreve apo të kafeve. Asnjë luftë nuk luftohet e as nuk fitohet pa partner sot e përjetë. Kjo është e vërteta. Fokus i Kosovës në vitet në vijim: përfundimi i gjitha obligimeve, sepse uniforma është e shenjtë dhe këtë duhet ruajtur me çdo kusht”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij është punuar edhe në konceptin e Rezervës vullnetare.
“E veçanta e kësaj Rezerve është së edhe diaspora e jonë që kanë dy shtetësi mund të angazhohet nga 10 deri 12 ditë në vit. Këtë propozim e kam paraqitur edhe pranë Komisioneve të Kuvendit të Kosovës në vitin 2022. Ku kam thonë se Kosova duhet t’i ketë 20.000 rezervist vullnetar sipas nevojës shtetërore”, ka thënë ai.
Mehaj ka thënë se faktori ndërkombëtarë duhet të reagojë me ashpër ndaj Serbisë.
“Për të larguar Serbinë përfundimisht nga hapa jodemokratikë e kërcënues, duhet hapa konkret, një opsion ndërkombëtar do të ishte tërheqja e fabrikave të investuara ne Serbi dhe transferimi i tyre në Kosovë. Por këtë nuk po e bën Evropa ende. Ky është një propozim konkret i imi. Hapja e fabrikave dhe punësimi i të rinjve në Kosovë, kjo do të mund të ndalon emigrimin”, ka thënë ai.