Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një konferencë për media bashkë me shefen e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, tha se Vetëvendosje është e gatshme edhe për zgjedhjet të parakohshme nëse krijohen rrethanat për mbajtjen e tyre.
Ai tha se në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse opozita inicion një mocion mosbesimi, përndryshe Rrustemi thotë se VV do të vazhdojë mandatin e saj deri në fund.
“Natyrisht që VV është e gatshme kurdo që krijohen rrethanat për zgjedhjet e parakohshme, sepse këto e kanë një dimension të rrethanave se kur ato krijohen. Kushtetuta e parasheh këto situata. Unë nuk shoh indikacione për një gjë të tillë, nëse ka ndonjë nismë nga opozita për mocion mosbesimi për Qeverinë dhe ka sukses, padyshim që Vetëvendosja do të ishte edhe e gatshme edhe e përgatitur për të marrë pjesë në zgjedhje. Por, ne vazhdojmë me përkushtim përmbushjen e programit e qeverisës me mandat të plotë, por nëse eventualisht zgjedhjet e parakohshme paraqiten padyshim që ne me përkushtim do t’iu dedikohemi zgjedhjeve të parakohshme”.
Ai u shpreh i bindur se partia e tij në zgjedhjet e ardhshme do të dalë me rezultat më të mirë sesa më 14 shkurt kur fitoi 51%.
“Edhe nga vlerësimi i opinionit, por edhe nga puna që po bëjmë është po ashtu e dukshme që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të tejkalojë edhe rezultatin e 14 shkurtit të 2021-ës marrë parasysh faktin që mërgata do të ketë lehtësi të votimit si kurrë më parë nëpërmjet votimit nëpër ambasada e konsullata”.
Për këtë ai tha se këta janë indikatorë të qartë që qeverisja e Vetëvendosje, siç tha ai, e orientuar në prioritetet e saj do të vazhdojë./Express/