Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje deklaron se këmbëngulja e Qeverisë e ka detyruar Serbinë që t’i pranonte targat RKS.
Me anë të një postimi në Facebook, në faqen e LVV-së thuhet se pas targave, Serbia duhet t’i pranojë diplomat dhe të gjitha dokumentet, derisa çështjen e targave e ka cilësuar “e arritur e rëndësishme e shtetit dhe e qeverisë”.
“Këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranojë targat RKS. Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet”.
“Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet nga VV-ja.