Prokuroria Speciale ka njoftuar se është ngritur aktakuzë kundër një serbi për kome lufte kundër popullatës civile, shkruan Insajderi.
Prokuroria ka njoftuar se bëhet fjalë për D.M që gjatë luftës punonte si gardian i Burgut në Prishtinë e Lipjan.
“Prokuroria Speciale njofton se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M. ish gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin malltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, sipas prokurorisë i pandehuri D.M. në bashkëkryerje ka kryer veprën penale ‘’Krime lufte kundër popullatës civile’’.
Po ashtu, i njëjti akuzohet edhe për veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).