Qytetarët e Kosovës janë ‘tronditur’ në fund të muajit dhjetor nga faturat e energjisë elektrike. Ata kanë raportuar në rrjete sociale fatura shumë të larta, në shumicën e rasteve të dyfishuara të lartësisë së çmimit të energjisë duke mos gjetur shpjegim për këtë. Ndonëse nga qeveria nuk ka reaguar askush, KESCO ka dhënë sqarim për këtë çështje.
Në njoftimin e KEDS është përmendur se nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur për 15 për qind me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë më 1 prill të vitit 2023, shkruan Paparaci.com.
Por, muaji prill gjithashtu shënon edhe muajin kur subvencionimi i çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kilovat energji elektrike. Një vendim që ishte marrë nga qeveria gjatë zhurmës së madhe për rritjen e çmimit të energjisë në vitin e kaluar.
Në komunikatën e lëshuar nga KESCO përveç faktit se ka përfunduar subvencionimi i energjisë është përmendur edhe fakti se shumë qytetarë përdorin energjinë elektrike për ngrohje.
Kësaj rritje të faturave duhet gjithashtu t’i shtohet fakti se konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë. (Shih vendimin e ZRRE-së)
“Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Shih Vendimin e ZRrE-së. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike. Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje.”, thotë komunikata e KESCO-s.
Pra, shpjegimi i KESCO-s sugjeron që shtrenjtimi i energjisë në muajin prill së bashku me ndaljen e subvencionimit të energjisë nga qeveria e Kosovës dhe shfrytëzimi i energjisë për ngrohje në muajin dhjetor kanë ndikuar te faturat, marrë parasysh edhe shpenzimin në mbi 800 kilovat që është më i shtrenjtë.
“ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh.”, ka sqaruar KESCO.
Në mbi 800 kilovat shpenzime, këto çmime ndryshojnë.
Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh.
“Të gjitha këto çmime janë të shënuara në çdo faturë për konsumatorët. Përveç faturës fizike, të gjitha të dhënat për kilovatët e shpenzuar gjenden edhe në aplikacionin eKESCO, bazuar në matësin dhe shpenzimet e çdo konsumatori. Po ashtu, në web faqen e KESCO-s mund ta gjeni edhe kalkulatorin për kalkulim të shpenzimeve: https://www.kesco-energy.com/kalkulatori.html”, thotë KESCO. /Paparaci.com/