Pas UEFA-s, edhe FIFA e ka shprehur qëndrimin e saj për projektin e Superligës Evropiane, e cila e mori dritën e gjelbër nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian për themelimin e saj.
Shtëpia e futbollit botëror e ka publikuar një komunikatë, përmes së cilës e ka shprehur qëndrimin e saj, duke konfirmuar se do t’i bëjë betejë kësaj lige “ilegale”.
“FIFA e ka marrë lajmin për vendimin që e mori sot Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Superligën Evropiane. FIFA do ta analizojë vendimin në bashkëpunim me UEFA-n, konfederatat dhe federatat tjera para se ta komentojë vendimin. Në linjë me Statutin e saj, FIFA beson fort në specifikën e sportit, duke e përfshirë strukturën piramidale, mbi të cilën bazohet merita sportive dhe parimet e ekuilibrit konkurrues dhe të solidaritetit financiar. Futbolli i detyrohet historisë së tij të gjatë të suksesit në parimet e lartpërmendura, të cilat FIFA, konfederatat dhe federatat e saj do të vazhdojnë t’i promovojnë në të ardhmes, në interes të të gjithë tifozëve të futbollit në mbarë botën”, njofton institucioni më i lartë i futbollit botëror.