2.7 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Dështon të nis rigjykimi ndaj katër të akuzuarve në rastin “Subvencionet 3”

Për shkak të mungesës së të akuzuarit Sadush Kabashi, të martën ka dështuar të nis në Gjykatën Themelore në Prishtinë rigjykimi për pjesën e veçuar në rastin “Subvencionet 3”.

Në këtë pjesë të veçuar, akuzohen Bejtush Gashi, Arbër dhe Halit Avdijaj dhe Sadush Kabashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Kabashi, mbrojtësi i tij, avokati Berat Tmava deklaroi se në momentin e pranimit të ftesës e ka njoftuar të mbrojturin e tij, mirëpo ka pasur një keqkuptim rreth pjesëmarrjes në seancë.

“Në momentin që e kam pranuar ftesën nga ana juaj, për hir të korrektësisë kam njoftuar klientin tim, mirëpo e kemi pasur një keqkuptim edhe tash bisedova ne telefon me të njëjtin, ai tha për momentin jam duke i bërë disa analiza në Pejë dhe nuk e kam dit që duhet me qene edhe unë prezent. Keqkuptim, sepse gjyqtare ai m’tha, se ka na thënë gjyqtarja atëherë mos hajdeni hiç për shpallje e ka menu që aty u kry gjithçka edhe për atë arsye”, tha avokati Tmava.

Po ashtu, në këtë seancë, nuk ishte i pranishëm askush nga Avokatura Shtetërore, për të cilët, gjykatësja e rastit Valbona Musliu-Selimaj tha se iu është dërguar ftesa, mirë sipas saj fletëkthesa ende nuk është kthyer në shkresat e lëndës.

Ndryshe, mbrojtësja e të akuzuarit Halit Avdijaj, avokatja Merita Stublla-Emini ngriti pretendimin se çështja ndaj të mbrojturit të saj ka arritur parashkrimin absolut, gjë të cilën prokurori special Rafet Halimi e mohoi.

Por, meqenëse nuk kishte kushte që të procedohej tutje, të gjitha pretendimet gjykatësja Musliu-Selimaj tha se do të shqyrtohen në seancat e ardhshme.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 shkurt 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve të lartcekur, duke i dënuar me 28 muaj burgim dhe me 3 mijë euro gjobë (së bashku).

Ndaj këtij vendimi të Themelores ishin parashtruar ankesa nga mbrojtësit e 4 të akuzuarve me ç’rast më 29 nëntor 2023 ishte mbajtur seanca në Apeli duke u elaboruar kështu ankesa e mbrojtësve të akuzuarve.

Ndërsa, më pas Gjykata e Apelit, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve ashtu që ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore procedura penale ndaj katër të akuzuarve ishte veçuar në seancën e 6 shtatorit 2023, pasi të njëjtit e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img