6.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, zgjidhet gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Nicolas Guillou, gjykatës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (Gjykatën Speciale), pritet që këtë pozitë ta ushtrojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN).

Në njoftim zyrtar thuhet se më 5 dhjetor 2023 gjykatësi Guillou u zgjodh gjykatës në GJPN.

Nicolas Guillou u emërua gjykatës në Gjykatën Speciale më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e gjykatësit të procedurës paraprake në çështjet gjyqësore të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Salih Mustafës, rastin e Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve, Pjetër Shalës, si dhe të Sabit Januzit e Ismet Bahtijarit.

Ai ishte caktuar gjithashtu në funksionin e gjykatësit të vetëm në çështjen kundër Isni Kilajt.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, e cila paraprakisht ka qenë gjykatëse në GJPN para se të emërohej në Gjykatën Speciale, e vlerësoi lartë kontributin e kolegut Nicolas Guillou.

“Zgjedhja e tij është pasqyrim i përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Guillou në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare, që e ka demonstruar tashmë me dedikimin e tij të jashtëzakonshëm në Dhomat e Specializuara si gjykatës i procedurës paraprake ose gjykatës i vetëm në të gjitha çështjet gjyqësore që janë aktualisht para kësaj Gjykate” – ka thënë kryetarja Trendafilova.

Trendafilova shtoi se me gjithë humbjen e një gjykatësi dhe kolegu të çmuar, puna para Dhomave të Specializuara nuk do të ndikohet dhe do të vazhdojë pa ndërprerje.

Biografia e Nicolas Guillou

Gjykatësi Nicolas Guillou (Francë) ka shërbyer si shef i kabinetit të kryetarit të Tribunalit Special për Libanin (2015-2019).

Që nga vitit 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundër-terrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Nicolas Guillou shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë të Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike.

Nga viti 2003 deri më 2006, Guillou punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Meaux, afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

Gjykatësi Nicolas Guillou ka magjistruar në të drejtën penale ndërkombëtare dhe europiane të Universitetit të Sorbonës (Francë).

Çka është Gjykata Penale Ndërkombëtare?

Gjykata Penale Ndërkombëtare  është një gjykatë e përhershme ndërkombëtare e krijuar për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar individët e akuzuar për kryerjen e krimeve më të rënda që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar në tërësi si: krimin e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimin e agresionit.

Misioni kryesor i GJNP-së është të ndihmojë për t’i dhënë fund mosndëshkimit të autorëve të krimeve të tilla dhe të kontribuojë në parandalimin e tyre

Më 17 korrik 1998, një konferencë prej 160 shtetesh miratoi një traktat – të njohur si Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale – duke krijuar Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Traktati hyri në fuqi më 1 korrik 2002.

Mbi 120 vende janë shtete palë të Statutit të Romës, që përfaqësojnë të gjitha rajonet: Afrikën, Azinë-Paqësorin, Europën Lindore, Amerikën Latine dhe Karaibe, si dhe Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut.

GJNP-ja mund të ndërhyjë vetëm kur një shtet nuk është në gjendje ose nuk dëshiron vërtet të kryejë hetimin dhe të ndjekë penalisht autorët.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img