Gjykata e Apelit në Hagë ia ka ulur 4 vjet nga dënimi i shkallës së parë Salih Mustafës. Ai u dënua me 22 vjet burg.
Këtë vendim Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , Faton Klinaku e ka quajtur skandaloz.
Klinaku ka akuzuar ashpër Gjykatën Speciale në Hagë dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke thënë se është vetëm politike dhe se ky vendim ndaj Salih Mustafës, sipas tij, është një padrejtësi e radhës.
“Së pari, ky vendim është skandaloz, është poshtërsi e radhës e një Gjykate Speciale e cila kryekëput është politike. Dhe jo vetëm në emër tim, por edhe në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës që përfaqëson mijëra anëtarë, nuk mund të gjykohet padrejtësisht një person që edhe Gjykatat qoftë Tribunali i Hagës për krime lufte në Jugosllavi, qoftë në UMNIK apo EULEX, nuk kanë konstatuar dhe nuk mund ta konstatojnë se ndalimi është i paligjshëm. Sepse në një terren ku e ka kontrollin Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk ka ndalime të paligjshme. Një ushtri që gjatë kohës së luftës mund të ndalojë secilin person që është i dyshimtë”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Në vijim, Klinaku ka theksuar se asnjë gjykatë, përfshirë Tribunalin e Hagës dhe EULEX, nuk ka konstatuar se ndalimi i një personi ishte i paligjshëm. Ai ka shtuar se gjatë kohës së luftës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte autoritetin të ndalonte çdo person të dyshuar në territorin e saj.
Klinaku ka vazhduar me akuzat duke theksuar se Gjykata Speciale nuk ka interes për popullatën shqiptare, duke theksuar se akuzat janë të ndërtuara nga Serbia pushtuese dhe bashkëpunëtorët e saj.
Ai gjithashtu ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar për shantazh dhe kërcënime ndaj dëshmitarëve.
“Kësaj Gjykate e sidomos Zyrës të Prokurorit të Specializuar nuk i interesojnë fare as popullata shqiptare, por i interesojnë vetëm t’i gjykojë njerëzit politikisht edhe mbi bazën e disa akuzave banale dhe shpifëse që për mendimin tim ne e dimë saktësisht që ato i ka ndërtuar Serbia pushtuese më argatët e saj. Jo vetëm të Calit [Salih Mustafës], por edhe pjesëtarët e tjerë që mbeten atje në paraburgim. Ai që po shantazhin dhe kërcënon dëshmitarët, është Zyra e Prokurorit të Specializuar”, ka deklaruar Klinkau.