Në prag të festave të fundvitit është aktivizuar Inspektorati i Tregut, cak janë operatorët ekonomik, njofton MINT.
Qëllimi i këtij aktivizimi po del të jetë parandalimi i abuzimeve me çmimet e produkteve.
Bëhet me dije se inspektorët janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme, shkruan Insajderi.
“I gjithë ky angazhim në terren ka për qëllim zbatimin dhe garantimin e ligjshmërisë në tregtimin e mallrave në tregun e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorëve dhe interesin publik”, thuhet në njoftim derisa bëhet thirrje të raportohen rastet e parregullsive.
Njoftimi i plotë:
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka intensifikuar inspektimet tek operatorët ekonomik, në prag të festave të fundvitit.
Ekipet e Inspektoratit janë shpërndarë në qytete të shumta të Kosovës, ku për çdo ditë, po realizojnë inspektime të vazhdueshme me qëllim parandalimin e abuzimeve eventuale me çmimet e produkteve.
Krahas saj, inspektorët sipas përgjegjësive ligjore, po bëjnë inspektime edhe në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, sigurinë e produkteve dhe shërbimeve, tregtimit të naftës dhe derivateve të naftës, parandalimin e praktikave të pa drejta tregtare, luftimin e ekonomisë jo formale, shërbimeve hoteliere dhe turistike.
I gjithë ky angazhim në terren ka për qëllim zbatimin dhe garantimin e ligjshmërisë në tregtimin e mallrave në tregun e Kosovës për mbrojtjen e konsumatorëve dhe interesin publik.
Te subjektet ekonomike ku hasen parregullsi përgjatë inspektimeve, Inspektorati i Tregut, sipas dispozitave ligjore në fuqi do t’u shqiptoj gjoba mandatore dhe do të inicioj procedura gjyqësore ndaj tyre.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes mbikëqyrjes së tregut dhe luftimit të manipulimeve në treg, mbetet maksimalisht e përkushtuar për të garantuar ligjshmërinë dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Ftojmë qytetarët që të jenë të vëmendshëm gjatë blerjeve, dhe për çdo shkelje të të drejtave të konsumatorit, të vazhdojnë të adresojnë ankesat/njoftimet në Inspektoratin e Tregut, përmes Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Për çdo rast qytetarët ftohen të raportojnë në:
Tel: 0800 11000 ose
E-mail: Konsumatori@rks-gov.net
Të gjitha kërkesat dhe raportimet tuaja do të shqyrtohen me kujdes.