Qindra biznese të Prishtinës, të alokuara në magjistralen Prishtinë- Ferizaj, nga fillimi i Veternikut, e tutje do të kenë rrjet elektrik komplet të ri të tensionit të mesëm. Kjo, pasi në Zonën Industriale të Kryeqytetit ku kanë selitë edhe disa nga bizneset më të mëdha në vend, KEDS po bën investim të fuqishëm, rrjedhimisht po dyfishon kapacitetet e rrjetit të shpërndarjes.
Ky investim gjigant parashihet të ketë impakt direkt në ekonominë e vendit, pasi biznese të shumta të shtrira në atë pjesë do të kenë shërbime dukshëm më kualitative dhe më të sigurta. Për mbarëvajtjen e punimeve aty është përkujdesur edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEDS-it, z. Alpin Dogan, me ekipin e tij, i cili ka vizituar punimet që po zhvillohen aty.
“Ne si kompani gjithmonë kemi qenë në mbështetje të ekonomisë së Kosovës. Ky investim është tregues se ne po bëjmë më të mirën që bizneset të kenë afarizëm sa më të lehtë, sa më të mirë dhe sa më të sigurt”, tha z. Dogan.
Aty, dalja numër 5 që fillon nga Nënstacioni Prishtina 7 dhe shkon në drejtim të Ferizajt po shndërrohet nga 1o kV në 20 kV, në tërë gjatësinë e saj përshkon mbi 10 kilometra. Bashkë më të po zëvendësohen edhe 12 transformatorë, nga të cilët 4 janë trafostacione komplet të reja. E tërë linja është nëntokësore dhe punimet tashmë janë në fazën përfundimtare.
KEDS që nga fillimi i operimeve në vazhdimësi ka investuar pos mijëra projekteve për konsumatorët shtëpiakë, edhe në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes në zonat ku janë të alokuara bizneset.
Rrjeti i trashëguar ishte në gjendje të rënduar, por tashmë falë investimeve të shumta po merr pamje krejtësisht tjetër. Nga këto investime edhe bizneset frymojnë më lirshëm.