Përveç problemeve me rezultate, KF Fushë Kosova është duke u përballur edhe me një problem tjetër, atë të mos-kryerjes së obligimeve financiare ndaj futbollistëve, problem ky i zakonshëm te klubet kosovare tash e një kohë.
Disa prej futbollistëve pjesë e këtij klubi, në kushte anonimiteti, për “Gazeta Express” kanë deklaruar se tashmë janë bërë katër muaj që nuk kanë marrë rrogat e tyre.
Ata gjithashtu potencuan se nga drejtuesit e klubit u është thënë herë pas here se do të shlyhen borxhet, por që kjo nuk ka ndodhur deri më tani.
Gazeta ka kontaktuar me drejtorin e klubit të Fushë Kosovës, Kujtim Arifi, për ta pyetur rreth kësaj çështjeje.
Ai pranoi se klubi nuk ka kryer të gjitha obligimet ndaj lojtarëve, duke thënë shkurtimisht se “nuk bëhet fjalë për një borxh prej katër rrogave”, teksa sugjeroi që të kontaktohet më vonë për të sqaruar situatën, por që pastaj ishte i pamundur kontakti me të.
Ndryshe, Fushë Kosova renditet e nënta dhe e parafundit në tabelën e Superligës së Kosovës, me vetëm 10 pikë të grumbulluara pas 17 xhirove.
Fushë Kosova së fundmi u eliminua nga Kupa e Kosovës, pasi u mposht nga skuadra e Ligës së Parë, 2 Korriku, në fazën e 1/16 së finales së kësaj gare. /Gazeta Express/