Ish-finalistja e Big Brother VIP Kosova 1, Juliana Nura së fundmi ka rrëfyer në detaje disa nga momentet më të vështira që ka kaluar gjatë fëmijërisë, duke u shprehur se ajo kohë ia rikthen përjetimet gjatë luftës në Kosovë.
Ajo tregoi për ankthin që si fëmijë kishte përjetuar duke mos ditur asgjë për fatin e babait të saj, teksa merrte lajme se shumë familjarë të tjerë po vriteshin nga okupatori.
“Familja ime ka dhënë shumë për këtë luftë. Babi im u kthye në Kosovë për të luftuar, ndërsa ne mbetëm në Finlandë. Në atë kohë rrija përpara televizorit për të parë çfarë po ndodh në Kosovë. Ankthi i një fëmije që priste për një telefonatë të hidhur, ajo është një traumë që me kalimin e viteve bëhet e madhe. Kemi marrë shumë shpesh mesazhet e gabuara dhe demoralizoheshim shumë. Mamaja ime vjen nga Prekazi legjendar dhe kemi marrë lajme që u masakrua gjyshi, u masakruan pastaj familjarët e mamit dhe më pas familjarët e babait. Ndërkohë gjatë kësaj kohe babi im ishte në luftë dhe nuk e dinim a ishte gjallë apo jo”.
Tutje, Xhuli thotë se fëmijët do t’i rris me flamurin kuq e zi, dhe jo atë të Kosovës, pasi e sheh si simbol politik.
“Ne e kemi një traditë në familjen tonë që djepin e ruajmë shumë me dashuri. Edhe unë një ditë kur do të bëhem mami, do ta përkundi me flamurin kuq e zi, jo me flamurin e Kosovës sepse unë mendoj se ai është politik”, tha ajo.