Policia e Shtetit në Shqipëri ka dhënë detaje për Gëzim Çelajn, i cili u arrestua sot në Ferizaj pas një bashkëpunimi edhe me Policinë e Kosovës.
Bëhet e ditur se operacioni policor ndërkombëtar është koduar “fundi i trishtë”, ku strukturat e Policisë së Shtetit, pas sigurimit të informacionit nga inteligjenca policore se i dyshuari fshihej në Ferizaj dhe se ishte i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane.
“Policia e Kosovës, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Fundi i trishtë”, gjatë të cilit, në Ferizaj, u kap dhe u vu në pranga shtetasi: Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Trafikimi i narkotikëve’, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal’”.
“Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale ‘Trafikimi i narkotikëve’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake’”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
Policia e Shtetit më tej dha të tjera detaje ku tha se më 12 qershor të vitit 2013, në orët e para të mëngjesit është kapur në flagrancë shteasi R.H., me kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të Gëzim Çelajt.
“Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme”.
“55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë”, thuhet në njoftim.