Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me arrestimin Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, si të dyshuar lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt, mbrëmjen e 29 nëntorit.
Sipas një njoftimi, Policia bëri të ditur se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë.
Detaje tronditëse u zbuluan ditën e djeshme, kur Policia e Kosovës fillimisht bëri të ditur se ka arrestuar dy persona të implikuar në vrasjen e Liridona Musliut.
Njëri nga ta ishte pikërisht bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava – i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”.
Sinjali mësoi ekskluzivisht se bazuar në dëshminë e të dyshuarit për vrasjen e Liridona Murselit, i njëjti ishte paguar nga bashkëshorti i saj, tashmë i arrestuar, Naim Murseli.
Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës.
Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit dolën me nje komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.
E më vonë, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Lirona Murselit.
Siç mësoi ekskluzivisht Sinjali, i arrestuari ishte Kushtrim Kokalla – pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kokalla është vëllai i zyrtarit policor, Kanon Kokalla, i cili shërben në Policinë Rajonale në Gjakovë.
Për të dyshuarin e fundit, lajmi u konfirmua edhe nga Ministria e Mbrojtjes.
“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.