Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke iu referuar përfshirjes së pjesëtarit të FSK-së në vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se ndaj tij do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së.
Sipas tij, të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor, raporton Klan Kosova.
“I tronditur kam përcjellë ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellë një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK-së në lidhje me rastin”, ka shkruar Maqedonci.
“Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK-së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së”, ka shtuar ai.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe të gjithë qytetarëve të prekur nga vrasja e Liridona Ademajt.