Komunat e Kosovës rrezikojnë të futen në kolaps gjatë 2024, nëse zbatojnë faljen e tatimit në pronë në vlerë 100 euro, derisa llogaritet që dëmi të jetë mbi 28 milionë euro. Në këtë situatë ndikon edhe mendimi juridik i Gjykatës Supreme, ku mësimdhënësit duhet të kompensohen për licencimin e tyre si dhe normën e inflacionit.
Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, derisa potencon se zbritja e normës tatimore për tatimpaguesit nga 0.15 për qind e vlerës së pronës në 0.10 për qind nga disa komuna, do të ndikojë në zvogëlimin e buxhetit të tyre.
Kohë më parë, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktvendimin në lidhje me çështjen e tatimit në pronë, ku thuhet se komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Ibrahimi thotë se disa komuna kanë marrë vendim për mos faljen e vlerës së faturës deri në 100 euro, meqë sipas tij komunat i kanë përgatitur buxhetet komunale më herët për vitin e ardhshëm.
“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që për faljen e tatim paguesve për faturat deri në vlerën e 100 eurove, kompetent të jetë niveli lokal, përkatësisht kuvendet komunale. Në disa raste kuvendet komunale, gjatë kësaj jave nuk e kanë përkrahur këtë ide që të bëhet falja e vlerës së faturës deri në 100 euro, sepse ata i kanë përgatitur buxhetet komunale, të cilat kanë qenë të miratuara në shtator të këtij viti, për vitin e ardhshëm, dhe nëse bëhet një falje e tillë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, dëmi të cilin Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka llogaritur bazuar në argumentet që na ka ofruar komunat, do të jetë rreth 28 milionë euro. Komunat i kanë paraparë këto mjete financiare për investime kapitale, sepse mjetet nga të hyrat vetanake, në këtë rast nga tatimi në pronë përkthehet në investime kapitale. Në anën tjetër, në muajin tetor është mendimi juridik i Gjykatës Supreme, ku thuhet se mësimdhënësit duhet të kompensohen për licencimin e tyre, si dhe normën e inflacionit”, thotë Ibrahimi, në një intervistë për KosovaPress.
Ibrahimi thekson se komunat rrezikojnë t’i kenë më pak rreth 28 milionë euro për investime kapitale gjatë vitit të ardhshëm, nëse e bëjnë faljen e tatimit në pronë. Po ashtu, Ibrahimi shton se në rast zbatimi të mendimit juridik nga Gjykata Supreme, sipas tij dëmi financiar i komunave do të jetë deri në 25 milionë euro.
“Në bazë të informatave që kemi nga komunat e Republikës së Kosovës, ky dëm financiar i cili do t’i shkaktohet buxheteve komunale do të arrijë shifrën mbi 25 milionë euro. Këto mjete financiare pa drejtësisht do t’i merren komunave, sepse kontratat kolektive janë të nënshkruara nga niveli qendror, kurse barrën financiare do ta bartin komunat. Nëse komunat do ta bëjnë faljen e tatimit në pronë deri në vlerën e 100 eurove, aty janë 28 milionë euro që komunat do t’i kenë më pak për investime kapitale, në vitin e ardhëm. Shto këtu edhe faktin nëse zbatohet mendimi juridik, atëherë dëmi financiar i komunave do të jetë deri në 25 milionë euro. Argumenti tjetër shtesë është që në vitin 2024, 22 komuna të Republikës së Kosovës do të kenë më pak me miliona euro në total për investime kapitale për projekte të reja. Po i bie që dëmi financiar i cili shkaktohet nga këto tri veprime, do të jetë me dhjetëra miliona euro”, potencon Ibrahimi.
Ndër të tjera, Ibrahimi thekson se komunat po ballafaqohen me një situatë kritike ku nuk do të mund të investojnë në projekte të ndryshme, të cilat janë paraparë me buxhetet komunale, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve.
Ai shton se Komuna e Pejës ka ulur normën tatimore, por nuk e ka përkrahur faljen e tatimit në pronë prej 100 eurove.
“Komunat po ballafaqohen me një situatë kritike ku nuk do të mund të investojnë në projekte të ndryshme, të cilat janë paraparë me buxhetet komunale, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarit. Disa komuna kanë marrë vendim në kuvende komunale që të janë pro faljes së 100 eurove, disa komuna nuk e kanë përkrahur këtë ide, sepse disa komuna të tjera dhe këto të cilat kanë marrë vendime në kuvende komunale, vitin e ardhshëm e kanë zbritur normën tatimore, për tatimpaguesit nga 0.15 për qind e vlerës së pronës në 0.10 për qind e cila gjithashtu di të ndikojë në zvogëlimin e buxheteve komunale. Në bazë të informatave që kemi është Komuna e Pejës e cila ka ulur normën tatimore… Mirëpo nuk e ka përkrahur faljen e tatimit në pronë në vlerë deri në 100 euro për këtë vit… Pastaj është komuna e Ferizajt, Komuna e Kaçanikut, të cilat në disa raste edhe për shkak që ka kërkuar një grup politik që të hyjë në rend të ditës nuk e ka gjetur përkrahjen, sepse ndoshta nuk ka qenë momenti i volitshëm”, tha Ibrahimi.
Ndërsa, lidhur me ndarjen e buxhetit 2024, Ibrahimi theksoi se shumica e Komunave nuk janë të kënaqur me ndarjen buxhetore.
Ndryshe, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, sot ka miratuar propozim-vendimin për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 për të gjithë tatimpaguesit, deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro. Njëjtë ka vepruar edhe Komuna e Vushtrrisë. /kp/