Konsumatorëve në Fushë Kosovë, uji do t’iu ofrohet përmes autoboteve, kjo pas situatës së krijuar me turbullirë në kanalin e Ibër Lepencit.
Bëhet e ditur se një nga autobotet është pozicionuar në rrugën“Arbëria” në lagjen Eliza deri në orën 13:00, ku pastaj do të kalojë te kompleksi Ulpiana në rrugën“Dardania” në Fushë Kosovë.
Autobotet do lëvizin në të gjitha zonat e Fushë Kosovës, njofton Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.
“Me qëllim të përmbushjes së nevojave për furnizim me ujë për pije, pas situatës me turbullirë në kanalin e Ibër Lepencit dhe nё pamundësi tё bëjmë furnizimin e rregullt te tё gjithë konsumatorët, sot më datё 29.11.2023 e kemi parë nevojën pёr t’ju ofruar shërbim tё furnizimit me ujё konsumatorëve, përmes autoboteve”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit të kryeqytetit.