1.6 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

Vazhdon të dëshmojë në sesion privat dëshmitari i nëntë i mbrojtjes në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, edhe të mërkurën po e vazhdon dëshminë dëshmitari i nëntë i mbrojtjes me kodin W04280, në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.

Këtë dëshmitar, po vazhdon ta marrë në pyetje në sesion privat përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), prokurori Cezary Michahlczuk, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para fillimit të dëshmisë, dëshmitari tha se nuk ndjehej mirë dhe është më keq seç ishte dje.

“Ma keq se dje jam sot”, tha dëshmitari, ndërsa kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia tha se dëshmia e tij nuk do të zgjas shumë.

Dëshmia e këtij dëshmitari ka filluar të martën, e cila ka qenë pothuajse e tëra në sesion privat për publikun. Ndërsa në sesion publik, dëshmitari ka thënë se për Pjetër Shalën ka dëgjuar kur ka filluar gjykimi i tij dhe se gjatë vitit 1999 nuk ka dëgjuar për të dhe as për ndonjë person me nofkën “Ujku”.

Sipas asaj që u tha dje në seancë, gjendja shëndetësore e këtij dëshmitari nuk është e mirë dhe dëshmia e tij është mundësuar përmes video-lidhjes.

Ashtu si edhe dje, seanca e sotme në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës filloi me 20 minuta vonesë.

Gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img