Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bashkë me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, me familjen Hajdaraj dhe bashkëpunëtorë, zbuluan shtatoren e veprimtarit të madh, Smajl Hajdaraj, në Pejë.
Abdixhiku tha në këtë ditë të veçantë për çdo shqiptar kudo që jeton, 28 Nëntori që është dita e flamurit shqiptar, po përurohet shtatorja e një burri të madh shqiptar, Smajl Hajdaraj.
Kreu i LDK-së, Hajdarajn e quajti Rugovist shembullor, patriot, veprimtar, intelektual, deputet, luftëtar të paepur, bashkëpunëtor të ngushtë të Presidentit Rugova, dhe Hero të Kosovës.
“Veprimtaria e tij ushtarake e politike e bëjnë atë personalitet qendror në historinë e rrugëtimit të shenjtë për liri, pavarësi e demokraci. Ai është vetë historia triumfuese e Republikës së Kosovës. Ai është vetë gur themeli i fortë i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku.
Kryetari Abdixhiku po ashtu citoi një pjesë nga testamenti i fundit i Smajl Hajdarajt, i shkruar nga ai rreth një muaj para vrasjes së tij.