9.7 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Biserko: Potenciali për konflikt është i madh, pyetja është se kur dhe si do të veprojë Vuçiqi

Udhëheqësja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për The Geopost ka thënë se Serbia po shkon drejt territorializimit të çështjes serbe.

Biserko tha se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ka treguar se potenciali për një konflikt është i madh.

“Vuçiqi po flet në gjurmët e të gjitha këtyre deklaratave dhe analizave për faktin se një front i ri do të jetë i mundur në Ballkan, do me thënë, se Rusia do të përpiqet ta destabilizojë rajonin përmes akterëve të saj vendas. Për këtë flitet që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe rasti Banjska në fakt tregoi se ky potencial ishte i madh, se operacioni ishte shumë më i gjerë, por u pengua, u ndal dhe u parandalua një gjakderdhje dhe konflikt më i madh. Që atëherë, Perëndimi e ka ndjekur me shumë vëmendje atë që po ndodh, sepse kjo është vija e kuqe që nuk do ta kalojnë, nuk do të tolerojnë as Vuçiqin, as Serbinë sepse ajo kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e vetë Europës. Pra, kjo është pika kritike që ka qenë gjithmonë gjatë Jugosllavisë dhe viteve ’90, dhe në vitin 1999. Është ajo pika kritike, strategjikisht nevralgjike që është shumë e rëndësishme për këtë pjesë të Ballkanit dhe për këtë arsye ka pasur një ndërhyrje që mos të përhapet konflikti në Maqedoni njëkohësisht, që me gjasë ishte një ide e Millosheviqit”, tha ajo.

“Kosova është pika përmes së cilës Perëndimi nuk do të tolerojë asnjë aktivitet të Serbisë apo Rusisë. Nuk është vetëm çështja e Serbisë dhe e “botës serbe”, por është çështje e ndërthurjes së së paku dy interesave – ruse dhe serbe – përkatësisht amerikane dhe europiane, natyrisht, po ndërthuren edhe interesa të tjera turke dhe kineze. Por në këtë rast, Rusia është e vetmja që është dukshëm e pranishme në një farë mënyre dhe e cila më lehtë mund të nxisë çdo mekanizëm që në fund të fundit do të çonte në disa tensione dhe konflikte. Dhe kjo është diçka që në fakt mund të shtrihet në Republikën Srpska dhe Malin e Z”, shtoi Biserko.

Ajo sheh rrezik të madh edhe në Malin e Zi, pët shkak të pushtetit atje.

“Tani vetë Mali i Zi është në rrezik të madh, duke qenë se në tre vitet e fundit ky ekip që është tani në pushtet, që u instalua nga kisha dhe Beogradi, po punon për të zbrazur sovranitetin malazez dhe gjithçka që ishte Mali i Zi deri më tani dhe kjo po ecë pa pengesa. Instrumenti i fundit i rrumbullakësimit të këtij serbizimi në Mal të Zi është regjistrimi i popullsisë që duhet të jetë pas një muaji ose më vonë, u kërkua një shtyrje, duke pasur parasysh momentin shumë të ndjeshëm politik. Ajo që eshtë shqetësuese është se Serbia vazhdimisht po shkon drejt territorializimit të çështjes serbe, gjë që mund të ndodhë, për shembull, në Mal të Zi. Madje për këtë foli edhe një gazetar rus, Genadi Sisoyev, i cili jeton në Podgoricë, i cili tha se diçka si RAS Krajina (Rajoni Autonom Serb i Krajinës) ishte i mundur, çfarë ishte në Kroaci dhe çfarë është tani në Republikën Srpska dhe ajo që ka qenë gjithmonë një aspiratë për të qenë edhe në veri të Kosovës”, tha Biserko.

Ajo tha se “ngjarja e Banjskës tregoi se sa potencial ka Serbia për destabilizim”. Sipas saj, “dihej deri më tani, por këtu u bë e qartë për herë të parë se ajo ende në mënyrë të pandërgjegjshme dëshiron që diçka e tillë të ndodhë”. Kjo “tregon se Serbia nuk e ka mbyllur çështjen serbe dhe se ka ende një rrymë që tenton të rishikojë humbjet e luftës nga vitet 1990”, thotë Biserko.

“Në njëfarë mënyre u pengua dhe mendoj se Vuçiq është shumë i vetëdijshëm se nuk mund ta kalojë më atë vijë, se nuk do të tolerohet. Tani shtrohet pyetja se kur dhe si do të veprojë, ndoshta pas zgjedhjeve, pasi tani në këtë fazë Kosova po luan një kartë apo argument të rëndësishëm për fushatë, apo një shtyllë të rëndësishme të asaj fushate, siç është përdorur gjithmonë deri më tani. Kosova ka qenë gjithmonë e rëndësishme për zgjedhjet serbe. Pastaj është një element tjetër që harrova ta përmend, që është se Vojslav Sheshel është pjesë e koalicionit të tij, që do të thotë se ai (Vuçiq) kujdeset për çdo votë që mund të merret që i përket atij blloku. Elektorati i Sheshelit nuk është i madh, por gjithsesi, ato vota janë të numëruara padyshim, dhe në këtë kuptim, retorika dhe narrativi i fushatës është kryesisht i radikalizuar dhe i ngjan viteve 1990, dhe mendoj se në këtë kontekst, ndër të tjera, , incidenti me Kroacinë dhe dëbimi i diplomatit të tyre. Ndonëse ka të bëjë me disa gjëra të tjera që kanë të bëjnë me Banjskën, por kjo pjesë ka të bëjë edhe me organin elektoral që e sheh Kroacinë si armik të madh”, tha Biserko.

Ajo ka një shpjegim edhe për grumbullimin e forcave serbe në kufirin me Kosovën.

“Është një shfaqje e muskujve tani para zgjedhjeve, por mendoj se NATO po vëzhgon dhe ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në terren. Kështu kanë njoftuar se po e përgatisin atë operacion në veri të Kosovës, këtë e ka zbuluar KFOR-i dhe i kanë sinjalizuar shqiptarët se çfarë do të ndodhë atje. Sa i përket kësaj, Serbia është e rrethuar nga vende të NATO-s ose vende që duan të anëtarësohen në NATO. Vendet e vetme që kanë mbetur prapa në sistemin e NATO-s janë Bosnja, e cila ka EUFOR-in, e cila është pjesë e NATO-s dhe Kosova, e cila ka KFOR-in. Pra mbetet Serbia, e cila ka një shkallë të lartë bashkëpunimi me NATO-n, ka Marrëveshjen IPAP, e cila është hapi i fundit drejt anëtarësimit në NATO. Pra, është vazhdimisht në një farë kontradikte, nga njëra anë, është ky bashkëpunim veçanërisht me Ohajo, ushtrinë amerikane, britanike dhe norvegjeze, ato janë tre vendet e NATO-s në krye të Serbisë, dhe nga ana tjetër, janë të gjitha këto marrëveshjet strategjike me Rusinë dhe stërvitjet që ajo i kreu deri në agresionin rus kundër Ukrainës dhe blen armë nga të gjitha anët dhe Kina, dhe Rusia dhe Turqia dhe në Perëndim. Tani ajo mori disa helikopterë ushtarakë. Serbia me pretekstin se, si një vend gjoja neutral, po ndërton sistemin e saj ushtarak në mënyrë që të mund të mbrohet ndërsa askush nuk e kërcënon, asnjë nga vendet fqinje nuk ka as potencial dhe as synim për të shfaqur ndonjë aspiratë ndaj Serbisë”, tha Biserko.

Biserko ka komentuar edhe turin e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar si shumë domethënëse.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img