Ish i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe diplomati austriak Wolfgang Petritsch thotë se në një situatë gjeopolitike të ndryshuar nga lufta në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Kosova dhe Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që është angazhuar në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada, duhet të rivlerësojnë realitetin për të lëvizur përpara.
Petritsch thotë se nuk pret përparim të shpejtë në të ardhmen e afërt në procesin e negociatave, por thotë se asociacioni i komunave serbe në Kosovë do t’i jepte Prishtinës më shumë kontroll mbi tërë territorin e saj dhe pret që pas zgjedhjeve në Serbi, Vuçiq do të duhet të bëjë të qartë orientimin e vendit të tij.
I pyetur se cili është vlerësimi i tij për gjendjen aktuale në Kosovës, pas ndërmjetësimit të përpjkejeve ndër vite për t’i dhënë fund konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha:
“Më duhet të them se pas kaq shumë vitesh, është një moment kur duhet të reflektojmë. Në këtë pikë ku gjendemi, në fundin e vitit 2023, pas shumë vitesh negociata me angazhim aktiv të bashkësisë ndëkombëtare, ende nuk po mund të shohim se cili do të jetë fundi i vërtetë të këtij angazhimi ndërkombëtar. Dhe kjo, mendoj unë, është çështja më e rëndësishme. Na duhet që tani, përfundimisht të gjejmë një mënyrë të suksesshme për të finalizuar dhe për të zgjidhur çështjet e fundit të rëndësishme që mbesin të hapura në Ballkan – çështjen e Serbisë dhe Kosovës dhe çështjen e Bosnje e Hercegovinës, e cila në aspekte të ndryshme vazhdon të jetë një shtet shumë jofunksional”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Duhet ta kuptojmë që tërë këto zhvillime po ndodhin në një ambient të ndryshuar në mënyrë drastike për Evropën në aspektin gjeopolitik. Tek fqinjët e Evropës, në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, tani po ndodhin dy luftra ndërkohë që ende nuk i kemi zgjidhur suksesshëm çështjet në rajonin pranë nesh, në shtetet që tashmë duhej të ishin pjesë e Bashkimit Evropian por që ende janë mjaft larg. Dhe prandaj duhet të refektojmë dhe të dalim me një strategji të re dhe të rigjallëruar për të zgjidhur ato çështje që janë shumë më të lehta për t’u zgjidhur sesa çështjet e mëdha të Rusisë e Ukrainës, apo të Lindjes së Mesme”, deklaroi ai.
Tutje, diplomati austriak ka folur edhe për rritjen e tensioneve përgjatë këtij viti, përfshirë sulmin nga një grup i armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës dhe grumbullim të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën që ka nxitur NATO-n të shtojë numrin e forcave paqeruajtëse.
“Këto dy shembuj që dhatë janë shumë të rëndësishëm dhe duhet të na shqetësojnë shumë. Sa i përket anës së sigurisë, në rastin e NATO-s me KFOR-in (në Kosovë), edhe në Bosnjë në rastin e EURFOR-in, që gjithashtu është përforcuar, po reagohet shumë më shpejt dhe nuk po presim shumë gjatë (për të reaguar) si para 20-25 vitesh. Në anën e sigurisë me të vërtetë kemi një reagim të shpejtë. Megjithatë, në aspektin politik, sa u përket negociatave, druhem se nuk do të shohim ndonjë përparim gjatë vitit të ardhshëm, sepse kemi zgjedhje në Serbi më 17 dhjetor, pastaj vitin e ardhshëm zgjedhjet e Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe në nëntor zgjedhjet presidenciale në SHBA. Dhe është e qartë që dy luftrat e mëdha tani kanë tërë vëmendjen e hartuesve të politikave në Bruksel dhe në Uashington. Me shqetësim e them se nuk do të shohim ndonjë përparim përsa i përket zgjidhjes diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj mendoj se u mendua mirë që NATO-ja, KFOR-i, duhet përforcuar pasi nuk duhet lejuar të përsëriten ngjarjet si ato të para disa javëve“, ka deklaruar ai.
Ndër të tjerash, Petritsch ka thënë se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, duhet të kontriubojnë në sigurinë e përgjithshme të Evropës dhe BE-së.
“Së fundi jam takuar me Kryeministrin Kurti në Vjenë, po ashtu me (të dërguarin amerikan për Ballkanin, Gabriel) Escobar kemi biseduar për një orë dhe së shpejti do të takoj Ambasadorin (amerikan në Beograd, Chris) Hill. Po flasim për këtë situatë dhe përshtypja ime është që dyja palët, në Beograd si dhe në Prishtinë, ndjenja është që ndoshta që ky përshkallëzim ishte i tepruar dhe duhet të ulim tensionet, që është e domosdoshme. Nuk mundet vetëm bashkësia ndërkombëtare të kujdeset për sigurinë në rajon. Duhet gjetur partnerë për bashkëpunim të përgjegjshëm në planin e sigurisë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në veçanti. Na duhet t’ua bëjmë të qartë aktorëve kryesorë – Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti – se ata duhet të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme të Evropës dhe Bashkimit Evropian që tani është shumë e rrezikuar nga dy luftrat”, është shprehur ai.