Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur për situatën e tensionuar në Kosovë, duke thënë se çdo sulm apo dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës është e papranueshme.
Në një intervistë për mediumin serb ‘blic.rs‘, Stoltenberg ka përmendur dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it në muajin maj, si dhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Shefi i NATO-s ka kërkuar që përgjegjësit të përgjigjen dhe është e nevojshme të bëhen hetime.
“Çdo sulm, çdo dhunë ndaj qytetarëve në Kosovë është i papranueshëm. Kjo është arsyeja pse mesazhi është i njëjtë nëse flasim për dhunën ndaj 93 anëtarëve të trupave të NATO-s në maj, apo për atë që ndodhi në Banjskë, ose për ndonjë shembull tjetër. Duhet respektuar shteti i së drejtës dhe përgjegjësit për dhunën duhet të përgjigjen. Ne kemi nevojë për hetime, kemi nevojë për një proces ligjor për të siguruar që të gjithë njerëzit të mund të lëvizin dhe të jetojnë të lirë dhe të sigurt. Kjo është detyra kryesore e NATO-s, për të mbrojtur njerëzit që jetojnë në Kosovë, përfshirë serbët. NATO ka shtuar praninë e saj në veri të Kosovës për të përmbushur mandatin e saj”, tha ai.
Stoltenberg foli gjithashtu edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën e ritheksoi se është hap kyç për të ecur përpara, si dhe për të ulur tensionet mes dy vendeve.
SHefi i NATO-s ka mirëpritur propozimin e ri të BE-së, ndërsa shtoi se kjo gjë është edhe një nga arsyet e vizitës së tij, për të mbështetur dialogun.
“Ne e kemi thënë shumë herë se mbështesim formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një pjesë e rëndësishme dhe një mënyrë për të ecur përpara, për të ulur tensionet dhe për të përcaktuar një politikë zgjidhjeje. Dhuna nuk është zgjidhja. Ne gjithashtu mirëpresim faktin që BE-ja ka ofruar një propozim të ri se si të arrihet kjo. I njëjti mesazh është përcjellë edhe në Prishtinë. Dhe kjo është një nga arsyet pse jam këtu, për të parë se si NATO mund të mbështesë dialogun politik dhe të ndihmojë me këtë”, tha Stoltenberg.