“Ne jemi të shqetësuar me retorikën secesioniste të ndarjes dhe ndikimin rus”. Kështu tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp në Sarajevë gjatë vizitës së tij të parë në Bosnje dhe Hercegovinë.
“ Kjo kërcënon të minojë stabilitetin dhe të dobësojë reformat. Të gjithë liderët duhet të punojnë për përparim. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe ne jemi të përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, në vendin tuaj, i cili ka një rëndësi të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj ne po thellojmë dialogun tonë politik dhe bashkëpunimin tonë praktik”, tha Stoltenberg.
Ai tha se “aleatët mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”.
Në mëngjes, Stoltenberg bisedoi me Kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH, Borjana Kristo.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Kristo, deklaroi se vendi i BeH-së merr pjesë në Planin e Veprimit për anëtarësim në MAP, i cili, siç tha ajo, sinjalizon se ka një vendim politik të NATO-s që BeH mund të bëhet anëtare e NATO.
“Duhet të arrijmë një konsensus politik dhe përmes dialogut të arrijmë në qëndrime që janë shumë të rëndësishme për Bosnjën dhe Hercegovinën kur është fjala për bashkëpunimin me NATO-n”, tha Kristo.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg mbërriti të dielën në mbrëmje, më 19 nëntor, për një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo është vizita e tij e parë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Menjëherë pas mbërritjes, ai u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës në një darkë pune.
Anëtari i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, në profilin e tij zyrtar në Facebook ka bërë të ditur se gjatë bisedës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se NATO mbetet garantues i sigurisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës.
“Ai tha se NATO-ja nuk e miraton retorikën që nxit përçarje dhe rrezikon funksionimin e institucioneve të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Ai gjithashtu theksoi se rrugët evropiane dhe NATO-s të Bosnjë-Hercegovinës janë të përputhshme dhe se NATO do të ndihmojë proceset reformuese, të cilat e afrojnë Bosnjën dhe Hercegovinën drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian” thuhet në profilin e Beqiroviqit.
Në daljet e mëparshme në media, Stoltenberg deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina, së bashku me Gjeorgjinë dhe Moldavinë, i përket vendeve që meritojnë vëmendje të veçantë nga NATO./express/