Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për projekligjin për buxhetin e vitit 2024.
Ajo, në seancën e sotme të Kuvendi të Kosovës, ka deklaruar se ekzekutivi e ka përmendur rritjen por nuk ka përmendur se ku e kanë ulur buxhetin për rritjet që i kanë planifikuar.
“Në planifikimin e këtij buxheti keni rritje me vetëm 2.3 për qind ose 78 milionë euro më shumë në krahasim me vitin e kaluar, nuk ka shanse me i bo të gjitha këto rritje që i keni përmendur në disa fusha me 78 milion euro më shumë”.
“Rritja e buxhetit është vetëm 2 për qind nëse flasim në terma të planifikimit, kur flasim ky është instrumenti i fundit buxhetor për realizimin e premtimeve të Qeverisë Kurti”.
Bajrami ka përmendur disa prej premtimeve të LVV-së para se të hynin në qeverisje, sipas saj, asnjë prej këtyre premtimeve nuk janë realizuar deri tani.
“Këto premtime Kurti i pati bërë program qeveritar i ka lexuar këtu kur është votuar kabineti qeveritar. Tha se do të lirohet çmimi i energjisë, një litër qumësht, vaj e sheqer do të jetë më e ulët, paga minimale do të rritet, patët premtuar 160 çerdhe, 4 mijë banesa për çifte, sigurimet shëndetësore, Fondin Sovran, punë e drejtësi”, ka thënë Bajrami.