Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shpalosur vlerësimet e saj lidhur me situatën me luftimin e korrupsionit dhe qeverisjes demokratike në Kosovë, bazuar në vërejtjet e Raportit të BE-së për Kosovën, për vitin 2023.
Fillimisht, u potencua që Raporti i BE-së për Kosovën ka evidentuar pak progres, e shumë sfida dhe mangësi në shumicën prej fushave, sidomos sa i përket demokratizimit dhe sundimit të ligjit.
“Për më tepër, stagnimet e evidentuara në raport shpërfaqin një problematikë serioze të Kosovës – e cila pavarësisht ndërrimit të qeverisjeve, po ballafaqohet me probleme të përsëritura në raport me vlerat e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe integritetit publik”, thuhet në vlerësimin e KDI-së.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Eugen Cakolli theksoi se stagnimi në raport me luftimin e korrupsionit buron drejtpërdrejt nga performanca dhe efikasiteti shumë i dobët i gjyqësorit.
“Mostrajtimi adekuat i rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë ka ardhur si rezultat i hetimeve joefikase dhe aktakuzave jocilësore nga ana e prokurorisë, si dhe zvarritjeve të trajtimit të lëndëve nga gjykatat”, ka thënë Cakolli.
Sa i përket luftimit të korrupsionit në shpenzimin e parasë publike, Diana Metushi-Krasniqi shtoi se, raporti i BE-së për Kosovën konfirmon për disa vite me radhë stagnime serioze në fushën e prokurimit publik duke theksuar se nuk ka progres në përmbushjen e rekomandimeve nga viti në vit.
“Kapaciteti i dobët i institucioneve për të administruar prokurimin publik, monitorimin dhe zbatimin e kontratave, si dhe sistemet e dobëta të mjeteve juridike, vazhdojnë të theksohen si një problem për vite me radhë”, ka thënë Metushi-Krasniqi.
Në këtë raport është cekur edhe puna joefikase e Kuvendit të Kosovës.
“Mungesat pajustifikuara të deputetëve në seancat parlamentare dhe mbledhjet e komisioneve mbeten problematika kryesore, që po minon efikasitetin e këtij institucioni. Në mënyrë që Kuvendi të arrijë të përmbushë funksionin e tij, duhet të zbatojë mekanizmat në fuqi dhe të krijojë mekanizma shtesë që sanksionojnë sjelljen e papërgjegjshme të deputetëve. Në rastet kur deputetët mungojnë pa arsye në seanca Kryesia duhet të zbatojë Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit për ndalim të kompensimit dhe shpenzimet mujore të deputetëve. Ajo shtoi se Kuvendi sa më parë duhet të rikthejë votimin elektronik i nevojshëm për fuqizimin e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në vlerësimin e KDI-së.
Haxholli vijoi tutje edhe me vlerësimet për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilat tha se nuk është ofruar transparencë nga ana e Qeverisë.
“Qeveria duhet të ofrojë transparencë ndaj publikut dhe Kuvendit, dhe konferencat për shtyp pas takimeve te dialogut e takimet me liderët politik nuk mund të jenë zëvendësim për obligimet kushtetuese që Qeveria i ka ndaj Kuvendit si institucioni më i lartë mbikëqyrës. Mungesa e informacioneve krijon hapësirën për informacione jo zyrtare duke rritur kështu ndjenjën e pasigurisë te qytetarët”, ka potencuar Haxholli.