Gjatë ditës së djeshme pas një aksidenti tragjik ka ndërruar jetë 14-vjeçari Drinor Berisha nga Malisheva.
I njëjti po kthehej nga Malisheva për në fshatin e tij në Gurbardh kur u godit nga makina.
Drinori ishte po ashtu lojtar i shkollës së futbollit FC Malisheva.
Varrimi i tij do të mbahet sot në orën 15:00 në fshatin Gurbardh të Malishevës.
Në lidhje me këtë rast të pikëlluar janë shprehur shumë familjarë e të afërm.
“I ri, shumë i ri u ndave nga kjo jetë, Drinor! Edhe pse është shumë e vështirë të gjenden fjalët e duhura në këto momente dhimbjeje, doemos lypset të mbledhim forcën e duhur e ta përballojmë me durim e kurajë bashkërisht dhimbjen dhe pikëllimin. Mbahu i fortë nipi ynë i dashur, Fitim, për humbjen e djalit, të shtrenjtit Drinor! Ngushëllime familjes Berisha, farefisit nga Gurbardhi i Malishevës dhe të gjithë atyre që ndiejnë dhimbje! E Drinori, kjo fytyrë si e një engjëlli, u prehtë përjetësisht në paqe“, shkroi Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Po ashtu, ngushllime ka shprehur edhe zyrtari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha
“Duke ndjekur ëndrrën! I ri, njomak, premtues, ëndërronte të rritej së bashku me lojën e futbollit. Kush do ta kishte menduar se sot do të ishte stërvitja jote e fundit. Askush! A i përshëndete bashkëlojtarët për herën e fundit. Mesiguri se jo! Sepse ti ishe duke ndjekur ëndrrën tënde, doje të ktheheshe përsëri atje. Shokët dhe shoqet e shkollës, nesër do ta ndiejnë mungesën tënde, mësimdhënësit nuk do ta thirrin më emrin Drinor, por, do të jetojnë me kujtimet e juaja e për mungesën tënde do ta ketë vështirë secili që të pajtohet. I tërë Gurbardhi sot loton e rënkon nga dhimbja e papërballueshme!“, shkroi Berisha.