Këshilltari shkencor në Institutin serb për Studime Evropiane prof. dr. Sllobodan Zeçeviq ka deklaruar se propozimi “i balancuar” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe ka qenë marrëveshja bazë për Asociacioni nga viti 2013, duke pretenduar se “Serbia pastaj hoqi dorë nga shumë gjëra në veri të Kosovës në favor të Kosovës, dhe se në këmbim ajo mori mundësinë e formimit të një Asociacioni me kompetenca të konsiderueshme”.
Zeçeviq në një prononcim për portalin serb “kosovoonline” ka thënë se me atë që tani BE-ja e paraqet si draft të balancuar të statutit të Asociacionit, duke qenë se institucionet evropiane janë nën ndikimin e SHBA, të cilat e njohën pavarësinë e Kosovës, si dhe nën ndikimi i Francës dhe Gjermanisë, të cilat gjithashtu e njohin Kosovën si të pavarur, mund t’i plotësojnë kërkesat e Kosovës, transmeton Paparaci.
Ai gjithashtu ka pretenduar se është e vështirë të flitet për një dokument që nuk ka dalë në dritë dhe se tani mund të nxirren përfundime nga deklaratat e liderëve të BE-së dhe institucioneve të Kosovës, ndoshta edhe nga disa deklarata të përfaqësuesve të organeve shtetërore serbe.
Sipas Zeçeviqit, BE-ja tani po përballet me disa probleme, e para prej të cilave është se ata janë “në kundërshtim” me dokumentin e tyre origjinal.
“Në planin franko-gjerman nga shkurti i këtij viti, thuhej se do të zbatohen marrëveshjet që kanë qenë të vlefshme më parë. Marrëveshja e Brukselit është diçka që është lidhur më herët dhe duhet të zbatohet. Por tani po thonë se kemi një propozim të re, të balancuar, i cili do t’u përshtatet të dyja palëve, kjo do të thotë se mund të nxjerrim përfundimin se marrëveshja origjinale për Asociacionin nuk është e vlefshme, se ata e ripunuan këtë marrëveshje dhe bënë diçka tjetër e që është në kundërshtim me dokumentin e tyre origjinal për të cilin kanë insistuar nga shkurti i këtij viti”, pretendon Zeçeviq.
Ai gjithashtu shton se “problem mund të jetë” edhe fakti se kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjithnjë e ka lidhur formimin e Asociacionit me njohje reciproke dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve, për të cilën ai ende insiston.
“Pyetja është se sa do të jetë funksionale e gjithë kjo, duke pasur parasysh që vetë Albin Kurti thotë – “ne pa njohje reciproke nuk zbatojmë asgjë”, thekson ai.
Zeçeviq pretendon se “ka shumë të panjohura dhe si disa prej tyre thekson se pyetja është nëse Kosova do ta zbatojë marrëveshjen, çfarë është ajo marrëveshjeje, a është e pranueshme për Beogradin, a devijon shumë nga ajo që është nënshkruar në Bruksel në vitin 2013”.
“Natyrisht, kjo do të shihet më qartë kur të publikohet dokumenti i përgatitur nga BE-ja”, ka përfunduar Zeçeviq./Paparaci.com