Të paktën 19 persona kanë mbetur të vrarë në një sulm ajror izraelit në një shtëpi pranë një spitali në kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Gazës të mërkurën, ka thënë Ministria e Brendshme e Gazës, teksa mijëra civilë të tjerë janë larguar drejt jugut për të shmangur luftimet e ashpra tokësore Izrael-Hamas, raportoi Reuters.
Siç është bërë e ditur, ky sulm ishte i treti në kampin më të madh të refugjatëve të Gazës brenda një jave. Sulmet ajrore në Jabalia, brenda qytetit të Gazës, të rrethuar nga forcat e blinduara izraelite, kanë rritur alarmin ndërkombëtar për numrin e madh të civilëve të vrarë në enklavën bregdetare.
Izraeli ka fajësuar Hamasin për vdekjet e civilëve në Gaza, duke thënë se po i përdor ata si mburoja njerëzore dhe po fsheh qendrat e armëve dhe operacioneve në zonat e banuara. Të mërkurën gjatë ditës, mijëra civilë palestinezë janë larguar nga veriu gjatë një mundësie katër-orëshe të shpallur nga Izraeli.
Ushtria izraelite u ka thënë vazhdimisht banorëve që të evakuojnë veriun. Sipas dëshmitarëve, ka persona të tjerë ende të zhdukur nën rrënojat e shkaktuara nga sulmi i së mërkurës.