Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këto dy ditët e fundit ka pritur në takim gjashtë nga shtatë kandidatët shqiptarë për deputetë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilët tashmë kanë publikuar kandidaturat e tyre.
Kryetari i Bujanocit, Nagip Arifi, i cili ishte i pranishëm në takim, tha se Kurti ka shprehur gatishmëri t’u ofrojë ndihmë në çka do që u duhet në këtë drejtim.
“Kemi biseduar gjerë e gjatë me kryeministrin, andaj kemi kërkuar që të kemi një listë të përbashkët të subjekteve politike shqiptare. Kurti në këtë drejtim na ka dhënë përkrahje që gjithçka që duhet të ndihmohet nga Republika e Kosovës, ai është i gatshëm që në këtë drejtim të jetë i kyçur me kontributin direkt të tij”, deklaroi Arifi në emisionin “Ditari”.
Më tej, Arifi vlerësoi që problemet e qytetarëve të Luginës së Preshevës, mund të adresohen vetëm me fitimin e sa më shumë ulëseve në Parlamentin e Serbisë.
“Edhe Kurti së bashku me ne, ishim të gjithë në atë takim me një propozim që sipas mundësisë të bëjmë një unifikim të faktorit politik shqiptar, e që të fitojmë sa më shumë ulëse në Parlamentin e Serbisë, ku vetëm në atë mënyrë mund t’i adresojmë problemet dhe hallet e qytetarëve të Luginës së Preshevës, por edhe te faktori ndërkombëtar”, shtoi tutje ai.
Gjatë takimit, u njoftua se kandidatët dhe kryeministri Kurti, u pajtuan që “një listë e përbashkët ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve”.
Zgjedhjet në Serbi pritet të mbahen më 17 dhjetor 2023.