Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka konfirmuar se nuk ka ende asnjë iniciativë qytetare në veri të vendit për nënshkrimin e peticionit për largimin e kryetarëve në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut.
“Deri më tani ne nuk kemi pranuar asnjë informacion nga asnjë kryesues i Kuvendit të Komunës se një grup i qytetarëve është organizuar dhe ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga zyrat. Ajo çfarë është e rëndësishme kryetarët po vazhdojnë të punojnë dhe ne si qeveri jemi në mbështetje të vazhdueshme të tyre që ata të përmbushin mandatin e tyre. Këtu duhet të përmendet nënshkrimi i marrëveshjes së kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe Agjencionit për Regjistrim Civil, që ky agjencion në kuadër të kësaj komune të ketë hapësirat e saj për regjistrimin civil”, ka thënë ministri Krasniqi në konferencën për media pas mbledhjes së sotme të Qeverisë.
Ai tutje ka bërë të ditur se shumë shpejt do të fillojë rekrutimi i stafit përgjegjës, jo vetëm në Komunën e Leposaviqit por në të katër komunat në veri sa i përket regjistrimit civil.
“Nga tetë zyrtarë do të jenë të rekrutuar në secilën komunë, e të cilët do të jenë përgjegjës për regjistrimin civil të qytetarëve, ku kemi një kërkesë të vazhdueshme të qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime dhe pasaporta të Kosovës, por edhe me targat e automjeteve”, shtoi Krasniqi.