Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë.
IHK njofton se reshjet më të theksuara priten të regjistrohen në juglindje dhe veriperëndim të vendit, derisa pjesët tjera të territorit parashihen të kenë reshje të intensitetit mesatar.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-6m/s.
Ndërkaq, për të dielën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.
Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-5m/s.
Ndryshe, të premten në territorin e rrafshit të Kosovës dhe Dukagjinit shpejtësia maksimale e erës ishte 40-45 km/h ( 11.1m/s deri 12.5 m/s).
Pas përkeqësimit të motit, të premten Komuna e Prishtinës ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në parqe e parkingje afër pemëve.
Nga komuna kanë thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes nga rënia e degëve të drunjve.
“Të dashur qytetarë, për shkak të erërave të forta dhe kushteve atmosferike, ju ftojmë të bëni kujdes gjatë qarkullimit nëpër parqet dhe parkimit të veturave afër pemëve pasi ekziston rreziku i rënies së degëve”, thuhet në apelin e komunës.
Për këtë arsye profesori i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka apeluar te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.
“Qytetarët le të qëndrojnë në shtëpi. Rrezik nuk ka, por dëme do të ketë sepse erërat janë të fuqishme. Në fundjavë temperaturat do të jenë akoma më të ulëta. Ato do të arrijnë deri në 16 gradë Celcius”, ka thënë Tahirsylaj.
Mot ekstrem është duke mbizotëruar në disa shtete të rajonit si në Kroaci, një pjesë e Bosnjës jugperëndimore, Mal të Zi, Shqipëri dhe një pjesë e jugperëndimit të Maqedonisë.