Komuna e Prishtinës është ankuar në Gjykatën Komerciale pas vendimit të kësaj të fundit për pezullimin e punimeve në rrugën “A”. Nga komuna që udhëhiqet nga Përparim Rama thonë se vendimi i shkallës së parë “manifeston zbatim të gabuar të së drejtës materiale, shkelje të dispozitave procedurale dhe mbi të gjitha vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”.
Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale kanë vendosur për pezullimin e punimeve në rrugën “A”, për të cilën kryetari Përparim Rama thoshte se do e zhbllokojë Prishtinën nga trafiku i stërngarkuar.
Tashmë për këtë vendim, në Komerciale janë ankuar komuna e Prishtinës dhe kompania “Sallahu”.
Sot, në një përgjigje për Gazetën Express, Komuna e Prishtinës ka thënë se kanë kërkuar nga gjykata që të njihen si palë e interesuar në procedurën administrative, pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit është e paditura.
“Ju lutem keni parasysh që vendimi i gjykatës të cilës ju i referoheni është marrë në kuadër të konfliktit administrativ ku kundërpropozues/e paditur është OSHP. Ndërsa ne si Autoritet Kontraktues në këtë rast kemi kërkuar nga gjykata që të njihemi si palë e interesuar në procedurën administrative.”
Komuna e ka konfirmuar që kanë dërguar ankesë dhe thonë se janë në pritje të vendimit të shkallës së dytë të Komerciales, derisa shtojnë se shpresojnë që të anulohet vendimi për pezullimin e punimeve në rrugën “A”.
“Ne tanimë kemi parashtruar ankesë dhe jemi në pritje të vendimit të shkallës së dytë lidhur me këtë çështje. Përndryshe Komuna e Prishtinës shpreson dhe beson që gjykata e shkallës së dytë në këtë rast do të miratoj si të bazuar ankesën që është parashtruar brenda afatit ligjor ashtu që do të anulohet vendimi për miratimin e masës së përkohshme pezulluese.”
Nga komuna thonë se vendimi i shkallës së parë “manifeston zbatim të gabuar të së drejtës materiale, shkelje të dispozitave procedurale dhe mbi të gjitha vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”.
Dorëzimin e ankesave nga komuna dhe “Sallahu”, për Express e ka konfirmuar dje zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi.
“Në referim të kërkesës tuaj, ju njoftoj se dje pasdite gjykata ka pranuar ankesë në rastin në fjalë. Ankesa është paraqitur nga Komuna e Prishtinës dhe Sallahu”, tha ajo dje.
Më 20 tetor, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale ka vendosur që të pezullojë punimet në rrugën “A”. Sipas tij me këtë vendim, është atakuar rëndë interesi publik i qytetarëve të Prishtinës.
“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema).”
Këtë vendim, Rama thoshte se e ka marrë gjyqtarja Vlora Pacolli, motra e deputetes së VV’së, Fitore Pacolli.
“Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.”
Pas reagimeve të shumta për këtë vendim Gjykata Komerciale kishte dalë me një reagim ku thoshte se “retorika e mediave” dhe “deklaratat e politikanëve” mund të kenë ndikim në opinion publik dhe në besimin në institucionet gjyqësore, prandaj sipas Gjykatës është e rëndësishme të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore dhe mos paragjykimit të tyre.
Në reagimin e Gjykatës Komerciale thuhej se palët kanë të drejtë ankese në instancat më të larta gjyqësore prandaj s’duhet paragjykuar çështja pa marrë epilog përfundimtar.
Punimet për ndërtimin e rrugës “A” (pjesa e parë), që është rimëruar “Xhim Xhema” kanë nisur më 27 prill të këtij viti dhe parashihej që punimet të zgjasin 240 ditë apo tetë muaj, derisa kostoja e këtij projekti është mbi 8 milionë euro. /GazetaExpress/