Me të nisur, opozita ka kërkuar që të hapet debati dhe të del në votim një rezolutë për miratimin e kërkesave të minatorëve të Trepçës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka theksuar se votimi i kësaj rezolute është shumë i rëndësishëm.
“Kemi propozuar për një debat me një rezolutë që i përkrah minatorët e Trepçës nuk kemi dashtë me pas një debat politik që të zgjidh këtë çështje që minatorët të dalin nga greva. Duhet miratimi i një rezolute që Parlamenti i Kosovës t’i miratojë kërkesat e tyre, miratimi i një kërkese të tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë Tahiri.
Të njëjtën gjë e dëshiron edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, që e quajti të nevojshme plotësimin e kërkesave të minatorëve.
“Është me interes të jashtëzakonshëm të trajtohet çështja e minatoreëve të Trepçës pasi më shumë se një javë ka minatorë që janë në grevë. Kuvendi duhet ta shqyrtojë dhe të kalojë një rezolutë që i kërkon Qeverisë të miratojë kërkesat e tyre. Kërkesat e tyre janë minimaliste, shteti duhet të garantojë që pagat e tyre të ju dalin në fund të muajit në xhirollogari. Kjo duhet të trajtohet me karakter urgjent”, ka thënë Gashi.
Po ashtu, edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur këtë çështje urgjente për trajtim.
“Normal që e mbështesim, AAK e konsideron tepër urgjente të mbajë një seancë dhe të trajtohet çështja e minatorëve, me urgjencë edhe çështja e policëve të Kosovës për shkak të protestës së FIT edhe sot një tjetër u paralajmërua duhet me urgjencë të trajtohet. Nëse nuk trajtohet atëherë është duke devalvuar vendi dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Tahiri./Klankosova.tv