Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në ngacmime e sulme fizike ndaj tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të martën në Suharekë, ku një zyrtare policore është përballur me një person, i cili e ka ndjekur teksa ishte duke lëvizur me veturën e saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari po dyshohet se tentoi të hakmerret pasi zyrtarja policore të cilën e ndoqi e kishte dënuar për kundërvajtje në trafik dhe ia kishte konfiskuar patentë shoferin.
Përballë kësaj situate, policja e denoncoi rastin dhe ka dhënë deklaratën e saj se si ka ndodhur ngjarja në detaje.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale ‘Ngacmim’, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të kapet i dyshuari.