Avokati, Kadri Osaj, ka komentuar bastisjet e fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar tek ish-këshilltarët e ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Osaj vlerësoi që ekzistojnë dyshime, që këta persona po hetohen për ndonjë pengim të procesit gjyqësor në Hagë.
“Këto bastisje mund të lidhen për shkakun që këta persona mund të jenë duke penguar ndonjë proces gjyqësor në Hagë. Personat e bastisur mund të jenë ndonjë subjekt i hetimit. Gjatë hetimeve, për t’i forcuar bazat e dyshimit të tyre, ose në qoftë se ekziston dyshimi i bazuar që është kryer ndonjë vepër penale, ose do të kryhet ndonjë vepër penale, atëherë Prokuroria e Specializuar me autorizimin e panelit, ndërmerr veprime hetimore. Rastet e veprimeve hetimore të ndërmarra, janë kryesisht veprat penale të cilat janë të parapara me kodin tonë penal, si pengim i drejtësisë, ose veprime tjera. Janë disa vepra të cilat janë të parapara në nenin 34, të cilat në mënyrë decitive janë të parapara si: pengimi i të provuarit, shkelja e fshehtësisë në procedurë. Pra, mund të dyshohen për këto vepra. Mirëpo, nga veprimet e fundit dhe legjitimimi i panelit për këto bastisje, konsideroj që në atë drejtim janë duke u bërë hetimet”, potencoi Osaj në emisionin “Ditari”.
Mëngjesin e sotëm, ZPS-ja ka kryer bastisje në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.
Teksa ditëve të fundit ka pasur bastisje edhe te ish-këshilltarët tjerë të ish-presidentit Thaçi, Artan Behrami, Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj.