Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Lirak Çelaj, ka hedhur akuza ndaj qeverisjes Ahmeti për shfrytëzimin e pronave publike teksa shtoi se në çerdhet në kryeqytet dyshohet se janë punësuar militantë të Vetëvendosjes.
”Dyshojmë që këto janë bërë për të punësuar militant të partisë Vetëvendosje dhe për të manipuluar elektoratin”.
”Konsiderojmë se këto shkelje duhet vënë para drejtësisë, konsiderojmë që është vepër penale është keqpërdorim i detyrës zyrtare që ka bërë dhe nuk është rasti i parë fatkeqësisht unë besoj që ka edhe raste të tjera”, është shprehur Çelaj.
Çelaj në një konferencë për media ka thënë se Shpend Ahmeti si Kryetar i Prishtinës, po sillet me pronën publike si të ishte e tij, përcjellë Klan Kosova.
Ai ka thënë se Shpend Ahmeti ka shkelur ligjin për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës së Prishtinës.
Për këto akuza që bëri, Çelaj citoi dhe nenet 5,7 dhe 8 duke pohuar se Ahmeti ka kryer vepër penale për të cilën tha se duhet të jap përgjegjësi, përcjellë Klan Kosova.
Veç tjerash Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj tha se i pari i kryeqytetit ka bërë shkelje të nenit të 5 në pikën 1 të saj, dhe se ka themeluar me gjithë shokët e tij OJQ-të dhe u ka dhuruar atyre objektet publike.
”Një prej themeluesve të këtyre çerdheve është edhe asamblisti i Vetëvendosjes dhe kjo na bënë të dyshojmë që ata i kanë themeluar këtë duke manipuluar jo vetëm me aktivistët e vet por edhe me prindërit me emocionet e tyre”.
”Kjo nuk është hera e parë që ata manipulojnë me sistemin shkollor, në këtë rast edhe me ata parashkollor dhe ata nuk gjejnë asnjë mjet për të arritur qëllimet e tyre politike” është shprehur Çelaj.