Sot është dita e shtatë prej kur minatorët në Trepçë kanë hyrë në grevë.
Ata po kërkojnë realizimin e pagës mujore me kohë teksa kërkojnë edhe sigurimin e kushteve të punës. Për këto kërkesa ata po kërkojnë garanci me shkrim.
Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka thënë se gjendja e minatorëve që po grevojnë është “jashtëzakonisht e rëndë”.
“Gjendja e minatorëve është jashtëzakonisht e rëndë, po vazhdon duke u përkeqësu nga momenti në moment. Në 24 orët e fundit, numri i minatorëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore është mbi 40”, tha ai dje në një prononcim.
Jonuzi e ka ftuar kryeministrin Kurti që t’i vizitojë minatorët dhe më pas t’ua bëj një zgjidhje.
“Ai është i vetmi që mund ta gjejë zgjidhjen”, tha ai.