Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka fuqi dhe vullnet të shkojë deri të fund të mandatit të qeverisë. PDK-ja ka filluar t’i bashkohet satelitëve të saj dhe të kërkojë zgjedhje. Kështu i ka komentuar zërat e zyrtarëve të PDK-së të cilët kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri.
Gaxherri ka thënë për Gazetën Monitor se partneri i koalicionit PDK-ja, nuk ka forcë më të vazhdoj më tutje në sfidat e Qeverisë. Sipas saj, është LDK-ja e cila e ka vullnetin e plotë që ta qoj mandatin deri në fund.
Ajo poashtu thotë se partneri i koalicionit duhet të jetë më i përgjegjshëm.
“Kohën e fundit koordinatori i satelitëve të saj PDK, ka filluar të ju bashkohet satelitëve të vet dhe po kërkon zgjedhje. Tek e fundit PDK nuk ka pasur fuqi as vullnet që të shkojë deri në fund të mandatit asnjëherë. Mbetet LDK-ja partia e vetme, e cila përkundër të gjitha sfidave, i del përballë përgjegjësisë dhe marrëveshjes që mandatin ta përfundojë në afatin kushtetues. Sepse demokracia dhe shteti zhvillohet kur ne jemi të përgjegjshëm për përgjegjësitë tona”, ka thënë Gaxherri.
Tutje deputetja Gaxherri thekson se Qeveria aktuale edhe pse përballë presioneve, qeverisja e saj dallon nga qeverisjet e tjera. Ajo ka vlerësuar poashtu se Qeveria e Isa Mustafës prej nga dita e parë e qeverisjes është përballur me kërkesën për zgjedhje të reja.
“ Qeveria aktuale nga dita e pare është përball me kërkesën për zgjedhje gjë që s’ka ndodh me asnjë Qeveri ne R. e Kosovës. Kjo Qeveri është përballë me presione e veprime të cilat askush nga ne s’ka mundur as të i imagjinoj por kjo Qeveri dallon nga të gjitha Qeveritë tjera e cila ka dëshmuar se ka forcë dhe vullnet që t’i përballoj edhe këtë formë të kundërshtimit dhe përveç kësaj, kjo Qeveri është Qeveria e me e mira, me e suksesshmja në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gaxherri.
Ndër të tjera deputetja Gaxherri thekson se partneri qeverisës është lodhur dhe se zërat për zgjedhje janë për qëllime personale dhe jo për të mirën e vendit.
“Si duket partneri ynë është lodh apo i ka bërë hesapet si gjithmonë vetëm për qëllimet e tyre personale e jo për të mirën e shtetit dhe popullit. LDK-ja është gjithmonë e gatshme për më të mirën e vendit dhe gjithmonë e para”, ka thënë Gaxherri.
Ndryshe kërkesat për zgjedhje nga ana e pozitës, i ka mirëpritur edhe opozita për të cilët kanë deklaruar se janë të gatshëm për zgjedhjet e parakohshme.