Këshilli Europian ka nxjerrë konkluzionetpër samitin e mbajtur dje dhe sot.
Në mes tjerash, KE ka dalë edhe me një konkluzion për Kosovën dhe Serbinë, duke paralajmëruar për pasoja në rast të dështimit të uljes së tensioneve.
“Këshilli Europian është thellësisht i shqetësuar për situatën e sigurisë në veri të Kosovës. KE dënon ashpër sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator 2023. Bashkimi Europian pret që autorët të kapen dhe të sillen me shpejtësi para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojnë plotësisht dhe të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përpjekje të qëndrueshme de-përshkallëzimi, si dhe të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen aktive të serbëve të Kosovës”, thuhet ndër të tjera, raporton Gazeta Express.
“Dështimi për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, paralajmëron KE.
Ndërkaq, Këshilli Europian shpreh keqardhje për “mungesën e zbatimit nga të dyja palët të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, si dhe marrëveshjet e tjera të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe i mbështetur nga Përfaqësuesi Special”.
KE i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë ato, pa vonesë ose parakushte.
“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën europiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”.
Bashkimi Europian tha se do të vazhdojë të punojë ngushtë me Ballkanin Perëndimor dhe të mbështesë përpjekjet e tyre reformuese në rrugët e tyre europiane