0.7 C
Pristina
Tuesday, November 5, 2024

Buy now

spot_img

Pranojnë fajësinë pesë të akuzuar në rastin për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove

Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka dhe Avdush Qukovci, kanë pranuar fajësinë lidhur me veprat penale me të cilat ngarkohen, kurse i akuzuari Lavdim Sllamniku pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, në rastin ku ata po akuzohen për shpëlarjen e mbi 125 mijë eurove dhe vepra tjera penale.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e dhanë pasi që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, i pyeti nëse kishin ndonjë ndryshim rreth deklarimit të fajësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku, akuzohen për “Shpëlarje të parasë”. Të akuzuarit Laçi, Reka, Orana dhe Qukovci ngarkohen edhe për veprën penale “Blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Kurse, të akuzuarit Osana dhe Sllamniku ngarkohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve nuk e kundërshtoi prokurorja Ilirjana Çollaku- Tafa, pasi tha se u bë në mënyrë vullnetare dhe në pajtim me dispozitat ligjore.

Mbrojtësit e të akuzuarve Laçi, Reka, Limaj, Orana dhe Qukovci, avokatët Ilir Hoxha, Kadri Begolli, Enver Maxhuni, Kadina Bogaj-Thaçi dhe Florent Latifaj, e mbështetën pranimin e fajësisë të bërë nga mbrojtësit e tyre.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Sllamniku, avokati Shkelzen Sopjani, tha se e mbështet në tërësi pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje dhe shtoi se nuk ka asnjë provë që mund ta inkriminojë të mbrojturin e tij për veprën penale “Shpëlarje e parave”.

Më pas, pranimi i fajësisë u aprovua nga gjykatësi Konxheli, i cili tha se u bë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe pas konsultimit me mbrojtësit e tyre dhe se përputhej me provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjykatësi tha se shqiptimi i dënimit shtyhet për të akuzuarit që kanë pranuar fajësinë, ndërsa shqyrtimi gjyqësor vazhdon për të akuzuarin Sllamniku.

Paraprakisht, prokurorja Çollaku- Tafa tha se qëndron pranë aktakuzës ashtu siç ishte, pa asnjë ndryshim.

Në këtë seancë, për shkaqe teknike nuk u arrit të dëgjohet dëshmitari anonim, pasi gjykatësi tha se ishin duke u rregulluar pajisjet për dëgjimin e dëshmitarëve anonim.

Kurse, avokati Begolli tha se ka pranuar një letër nga i akuzuari Qukovci, të cilën e kishte shkruar i akuzuari Reka.

Në atë letër, ai i kishte kërkuar falje gjykatës që nuk mund të vinte në seancën e sotme, duke shtuar që e kishe pranuar fajësinë dhe ka kërkuar nga gjykata që të vepronte njëjtë edhe për të, si për të akuzuarit tjerë.

Prokurorja tha se janë plotësuar kushtet ligjore që gjykimi të vazhdojë në mungesë për të akuzuarin Reka.

Avokati i Shabedin Rekës, Kadri Begolli, tha se meqenëse i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë, nuk ka arsye që procesi të zvarritet dhe se nuk e kundërshtoi vazhdimin gjykimit në mungesë.

Propozimi u aprovua nga trupi gjykues, me arsyetimin se i akuzuari ishte i njoftuar për seancën e sotme, ishe i pranishëm në shqyrtimin fillestar dhe shqyrtimin e parë gjyqësor dhe se ishte bërë përpjekje për sigurimin e tij dhe edhe në seancën e kaluar ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre ndërsa të radhës pritet të mbahen më 18 dhe 22 dhjetor 2023.

Sipas aktakuzës së PRSK-së, të ngritur më 3 qershor 2022, Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku, akuzohen për “Shpëlarje të parasë”. Të akuzuarit Laçi, Reka, Orana dhe Qukovci ngarkohen edhe për veprën penale “Blerja, pranimi, fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Kurse, të akuzuarit Osana dhe Sllamniku ngarkohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img