2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Banjska mbetet në histori – një muaj nga sulmi terrorist në Veri, gjithçka që ndodhi që atëherë

Afrim Bunjaku, polici i shtetit të Kosovë, u vra sot një muaj në Banjskë, pas sulmit që ndodhi nga një grup terroristësh në Veri. Ky rast dhe pjesa që ka pësuar më pas do të mbetet në histori.


Sot një muaj, më 24 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e tha një lajm të kobshëm qysh në ora 7:20 të mëngjesit.

“Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare”, zbuloi Kurti atë mëngjes, duke njoftuar për ngjarjen e rëndë që kishte tronditur jo vetëm veriun, por gjithë Kosovën dhe më tej, shkruan Gazeta Sinjali.

“Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, njoftonte Kurti një muaj më parë, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti e dënoi atë mëngjes sulmin kriminal dhe terrorist.

“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen”, deklaronte Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Më 25 shtator polici i cili u vra në detyrë, Afrim Bunjaku, u varros në fshatin e tij, me nderime të larta nga shteti, shkruan Gazeta Sinjali.

Çka ndodhi tutje?

Nga 24 shtatori e për disa ditë më radhë – Banjska ishte e qashshme vetëm për institucionet e sigurisë së shtetit – të cilat kryenin hetimet në atë pjesë të vendit – për gjithçka që kishte ndodhur në veri.

Policia ato ditë konfiskoi një sasi të madhe të armatimit, dhe njoftoi se organizatori kyesor i sulmit në Banjskë ishte Millan Radoiçiq, i cili bashkë me një grup terroristësh ikën maleve për në Serbi.

Pas “arratisjes” në Beograd – Radoiçiq e pranoi krimin dhe tha se jep dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe.

Ai tash është larguar edhe nga të gjitha bizneset e tij milionëshe, duke i transferuar ato tek dikush tjeter.

Ndërsa është lënë i lirë nga autoritetet në Beograd, veçse i është marrë pasaporta dhe i është ndaluar hyrja në Kosovë.

Ndërkohë, në Veri, Policia ia ka konfiksuar villën milionëshe, banesën, disa vetura dhe një varkë, shkruan Gazeta Sinjali.

Shteti kërkon sanksione për Serbinë pas sulmeve në Banjskë

Krerët e shtetit në vazhdimësi, në secilin event ose udhëtim, kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë nga autoritetet ndërkombëtare.

Këtë madje nuk e kanë kërkuar vetëm përfaqëuesit e Kosovës, por edhe shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe gjetiu – megjithatë – SANKSIONIMI i SERBISË – nuk ka ndodhur, shkruan Gazeta Sinjali.

Dialogu

Të shtunën që shkoi, më 21 tetor – emisarët perëndimorë i kërkuan Prishtinës dhe Beogradit që të normalizojnë marrëdhëniet dhe të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se shtensionimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Lajçak nënvizoi se sulmi në Banjskë vetëm se a e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.

“Dialogu është më i rëndësishëm së kurrë, sepse nëse nuk ka dialog mund të përsëritet eskalimi, dhe kjo nuk është çka duam ne, as çka doni ju. Prandaj jemi këtu. E dyta, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut, sepse dialogu sjell normalizim e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e hap rrugën evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës”, paralajmëroi Lajçak, shkruan Gazeta Sinjali.

Kurti theksoi, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me dialogun, kryeministri kosovar theksoi se “është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re”.

“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas vizitës në Prishtinë, diplomatët udhëtuan drejt Beogradit, ku u takuan me presidentin serb Aleksandar Vuçiq pasditen e së shtunës.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Lajçak përsëriti se sulmuesit e policisë së Kosovës në Banjskë duhet të sillen para drejtësisë dhe se incidenti duhet të hetohet tërësisht. I dërguari i BE-së tha gjithashtu se pritet bashkëpunimi i plotë i Serbisë në këtë çështje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takimin e cilësoj “të vështirë”.

“Besoj se në periudhën e ardhshme ne do ta gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, tha Vuçiq në një shkrim në rrjetin social Instagram, pas takimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Edhe në samitin e mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar, shkruan Gazeta Sinjali.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje, shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Ndër pikat më të nxehta të dialogut është Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

E arritur në vitin 2013, ajo nuk është zbatuar kurrë, pasi zyrtarët në Prishtinë kanë shprehur shqetësime se kompetencat e gjera për këtë asociacion, do të mund të ndikonin negativisht në funksionalitetin e shtetit.

Por, nga SHBA-ja kanë porositur Kosovën se themelimi i këtij asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe kanë siguruar se në Kosovë nuk do të ketë një “Republikë Srpska” të dytë, sikur ajo që kishte ndodhur në Bosnje, shkruan Gazeta Sinjali.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img