Ministri i Bujqësisë dhe nënkryetari i Partisë, Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë në Zona B në Klan Kosova, se s’ka asgjë të gabuar nëse partnerët e koalicionit ulen dhe bisedojnë për shkuarjen në zgjedhje, si mundësi e daljes nga situata e bllokuar.
Krasniqi: Vendimet janë bllokuar, s’është mëkat të shkohet në zgjedhje
Ministri i Bujqësisë dhe nënkryetari i Partisë, Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë në Zona B në Klan Kosova, se s’ka asgjë të gabuar nëse partnerët e koalicionit ulen dhe bisedojnë për shkuarjen në zgjedhje, si mundësi e daljes nga situata e bllokuar.
Sipas Krasniqit, s’është mëkat të shkohet në zgjedhje nëse zgjedhjet janë opsioni më i mirë për momentin, njofton Klan Kosova.
“Nëse një mazhorancë vjen në një moment që krijon një status quo, e cila mund të krijojë përshtypjen e bllokimit dhe të mos lëvizjes përpara, atëherë është përgjegjësia e mazhorancës që të ndalet të mendojë se çfarë nuk është duke shkuar dhe çfarë duhet të ndryshuar”, ka thënë Krasniqi.
“Neve nuk na mjaftojnë statistikat e raportet as deklarime e percepcionet, neve na duhen hapat konkretë”.
“Te qytetarët po vërehet një tip frustrimi dhe për këtë s’mund të jemi indiferentë. Kjo lidhet me burokracinë e tepruar dhe ne si institucione po lëvizim me vendime administrative , por s’po ndërmarrim hapa konkretë madhorë”.
“Duhet rishikim i kësaj situate dhe s’mund të themi qe i kemi të gjitha punët mirë, sepse s’janë. Ne duhet të lëvizim përpara. Nuk mundemi me qenë kryengrirë. Nëse është një rrugë tjetër që është më e mirë për vendin është obligimi jonë të mendojmë në atë drejtim. Opsionet s’janë të shumta, por ato që janë duhet t’i mendojmë”, pohoi ai.“
Duhet të kemi guxim të marrim vendime të mëdha. Nëse opsioni më i mirë janë zgjedhjet, atëherë a duhet të mbesim pengë veç pse jemi në pushtet, e të themi jo po e ruajmë pushtetin pasi e kemi edhe një vit. Nuk mund të qeveriset një qeveri duke i shtyrë vendimet – s’mund të shtyhet puna e sodit për nesër”.
“Nëse zgjedhjet janë të duhurat për të gjetur një zgjidhje për të lëvizur përpara, pa e matur nga kutet individuale ose partiake, atëherë nuk është e paligjshme ta shqyrtojmë si opsion”.
“Tash është obligim që ta diskutojmë me partnerët çështjen e zgjedhjeve”.
Krasniqi ka thënë se është dashur qysh herët të merret vendim për sjelljen e Demarkacionit në Kuvend dhe kështu të dihet përgjigja përfundimtare për të.
“Më vjen keq që nuk kemi arritur që një të drejtë që e kanë qytetarët e Kosovës, për shkak të lojërave politike kanë mbetur peng sot e kësaj dite të një kushti – që unë e quaj të padrejtë – por, që prapë është kusht nga BE-ja për t’u mundësuar qytetarëve të lëvizin lirshëm dhe kushti siç e dimë është demarkacioni”.
“Përgjegjësia në sistem politik është e përbashkët, por ka shkallë, sepse s’e ka krejt fajin opozita. Ne në qeveri kemi përgjegjësi më shumë, kush udhëheqë ka përgjegjësi më të madhe. Do të duhej ta kishim në Kuvend Demarkacioni dhe ta dinim përgjigjen përfundimtare”.
“Është e padrejtë t’i ushqejmë qytetarët në baza ditore për tema si Asociacioni dhe Demarkacioni. PDK-ja ka marrë vendim në mbështetje të këtij procesi qysh herët. Ne kemi marrë vendim që kjo temë të vijë në rend dite në Kuvendin e Kosovës”, pohoi nënkryetari i PDK-së, njofton Klan Kosova.