Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale lidhur me pezullimin e punëkryesit të punimeve në Rrugën A.
Sipas Ramës, kjo gjë po bëhet për interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat, sipas Ramës, me çdo kusht po përpiqen të bllokojnë transformimin e Prishtinës.
Majde, sipas tij, vendimi është marrë nga gjyqtarja Vlora Pacolli, e cila është motër e deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli.
“Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike” shkroi Rama në reagimin e tij.
Ky është reagimi i plotë i kryetarit të Prishtinës:
Të dashur qytetarë,
Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema).
Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.
Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike.
Kërkojmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi që cenon interesin publik. Ndërsa, nga
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në kuadër të kompetencave që ka, të sigurohet që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj.