Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e Paqes: Demokracia kundër autokracisë, organizuar nga asociacioni Tout Pour La Republique, Universite Pantheon Sorbonne, Hyland Center for Global Studies në UBT dhe Rrjeti i Biznesit të Diasporës Shqiptare.
Në fjalën e tij, ai ka thënë se qeveria e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal, raporton Klan Kosova.
“Aleksandar Vuçiq, dishepull i Vojslav Sheshel dhe ministër i informacionit (që do të thotë propagandë) i Sllobodan Millosheviçit gjatë viteve të 1990-ta, kërkon të instalojë një entitet juridiko-politik etnokratik brenda Kosovës, në mënyrë që ta bëjë republikën tonë një shtet jofunksional. Ai nuk beson në idenë e qytetarisë liberal-demokratike. Kjo është arsyeja pse në të njëjtën kohë që ai dëshiron instalimin dhe kontrollin e një entiteti të tillë brenda Kosovës, qeveria e tij po zbaton një spastrim etnik administrativ të komunave me shumicë shqiptare në Serbinë jugore duke fshirë adresat e banimit të shqiptarëve vendas nga regjistrat komunal”, ka thënë Kurti.