Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ditë më parë publikoi pamjet e rrugës së sapoasfaltuar për në Rugovë, që tregonin cilësinë e dobët të asfaltit, në shumë vende i çarë. Video përveç me pamje ishte edhe me zë në të cilën thuhej se “paraja publike u abuzua deri në fund”. Për këtë rast tashmë Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetimet.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Express se pasi është pranuar denoncimi nga ministria përkatëse, është autorizuar policia për ndërmarrjen e veprimeve hetimore.
“Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pasi ka pranuar denoncimin nga ministria përkatëse, ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Rasti është duke u hetuar”, tha Nikçi për Gazetën Express.
“Këtu jemi në rrugën që të çon nga qyteti i Pejës për në grykën e Rugovës…Pamjet që po i shihni vërehet asfalti tërësisht i plasaritur dhe ngjyra e zezë e asfaltit që tregon se kjo rrugë është ndërtuar vetëm para disa jave me buxhetin e Qeverisë së Kosovës..Paraja publike është abuzuar deri në fund”, u shoqërua me zë video që publikoi deputeti Hoti.
Postimi i plotë i deputetit Hoti, KËTU.
Pas kësaj video, reagoi zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, duke u pajtuar me deputetin Hoti.
“E vërtetë është ajo që shihet në atë video”, u shpreh Durmishi.
Ai tha se pas pranimit të raportit nga komisioni profesional që konstatoi gjendjen e rrugës, është nisur “procedurë disciplinore ndaj menagjerit të kësaj kontrate”, po ashtu tha se lënda është dërguar në prokurori sepse siç tha “jemi të bindur që në këtë rast ka elemente të veprës penale”.
Postimi i plotë i Durmishit:
Avdullah Hoti e paska postuar një video të gjendjes në rrugën Pejë – Rugovë.
E vërtetë është ajo që shihet në atë video.
Ne kemi nënshkruar një kontratë për sanimin e asaj rruge me qëllimin që ta rregullojmë rrugën shumë të dëmtuar.
Kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët se nuk po punohet si duhet dhe ne kemi formuar një komision profesional që ta konstatoj gjendjen. Të gjeturat e këtij komisioni janë se jo vetëm cilësia e punimeve që është jashtë çdo standardi por se janë bërë pagesa edhe për pozicione që nuk janë punuar fare.
Menjëherë sapo e kemi pranu këtë raport të komisionit ne kemi fillu procedurë disciplinore ndaj menagjerit të kësaj kontrate dhe lënden e kemi dërguar në prokurori sepse jemi të bindur që në këtë rast ka elemente të veprës penale.
Kemi informata që prokuroria ka filluar menjëherë që të marrë veprime dhe ne po presim rezultatet e hetimit të tyre.