-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Buy now

spot_img

Sulmi i 24 shtator në Banjskë, ka ndryshuar prioritetet e Qeverisë së Kosovës

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë një polic, i ka ndryshuar prioritetet e Qeverisë së Kosovës.

Para vazhdimit të dialogut me Serbinë dhe themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe(AKS), nga ekzekutivi kanë thënë se nuk mund të ketë vëmendje për aq kohë sa mungon siguria dhe sanksionet ndaj palës tjetër në dialog.

Pra, prioritet është garantimi i sigurisë brenda territorit të Kosovës dhe sanksionet ndaj Serbisë.

“Topi” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të duhej të kalonte në fushën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) – së paku sipas presidentes së Kosovës, Vjosa Omani.

Presidentja Osmani, kishte thënë se Kosova duhet që së bashku me ShBA-të të përgatisë draftin për statutin e AKS-në.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës(RTK), Osmani ka thënë se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit – nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Ajo kishte thënë se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të saj, duke përmendur nenin 7 dhe 10. Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Mendoj që zgjidhja është si vijon: Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht [vetëm me SHBA-në], unë mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit [Antony Blinken] draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën [e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica] Mogherinit që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin [e shkruar] nga [këshilltari i lartë i DASH-it, Derek] Chollet dhe [i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel] Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani.

Në anën tjetër kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me Serbinë “ka vdekur” për ne dhe ndërkombëtarët pas sulmit terrorist në Banjskë të Zvecanit më 24 shtator.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime; të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues”, ka thënë Gërvalla.

“Asociacioni i 2013 është kundër Kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA-të sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit. Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund, është qorrsokak”, ka thënë Gërvalla.

Përndryshe në anën e kryediplomatës kosovare qëndron edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke shprehur qëndrimin e saj nëse duhet të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist në veri të Kosovës më 24 shtator.

Ajo ka theksuar se pas këtij sulmi, diskutimet për vazhdimin e dialogut janë të paarsyeshme, duke argumentuar se kërkesat për vazhdimin e dialogut nuk duhet të kishin qenë një prioritet para këtij sulmi terrorist.

Ministrja Haxhiu ka thënë se është e rëndësishme që pas sulmit terrorist në Kosovë, përqendrimi duhet të jetë në kërkesat për sanksione ndaj Serbisë.

“Diskutimet për Asociacionin sidomos pas 24 shtatorit janë absurde për mua. Kryeministri e ka adresuar edhe në konferencën për media edhe në takimin e fundit në Bruksel ku Kurti kishte shkuar me një plan të sekuencimit në anën tjetër ishte përballur me njëanshmërinë e ndërmjetësuesve dhe natyrisht me qasjen destruktive të [Presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit. Nuk do të ketë Asociacion dhe sidomos pas 24 shtatorit, diskutimet për Asociacionin mendoj që i shkojnë për shtati Serbisë dhe jo Republikës së Kosovës”, kishte thë ministrja Haxhiu.

“Unë mendoj që diskutimet për vazhdimin e dialogut pas 24 shtatorit janë komplet të paarsyeshme, kërkesat që ai të vazhdoj unë mendoj që nuk është dashur të na vinin. Për faktin që gjithçka para 24 shtatorit ka mundur të jetë ndrysh, ne e kemi ditur kush është Serbia, e kemi thënë në vazhdimësi atë, mirëpo pas 24 shtatorit ku kemi pasur sulm terrorist në territorin tonë ku është vrarë një polic, i gjithë fokusi jonë duhet të vendoset tek kërkesa për sanksione ndaj Serbisë, dhe kjo kërkesë i shkon partnerëve tanë, vendeve mike, vendeve që e kanë mbështetur Republikën e Kosovës, sikurse vendet e BE-së, SHBA-ja, që janë partnerët tanë strategjik”, ka deklaruar e para e drejtësisë kosovare.

Ndryshe, për Asociacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e tij, por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se një pjesë e madhe e tyre janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në Serbi insistojnë në kompetenca të gjera për Asociacionin, ndërsa në Kosovë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Së voni, bashkësia ndërkombëtare ka rritur trysninë mbi Kosovën, duke i kërkuar që të mos vonohet më me formimin e Asociacionit.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kritikuar ndërmjetësuesit evropianë të bisedimeve për anshmëri dhe ka thënë se Kosova nuk do të pranojë kushte për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pa u zyrtarizuar njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Gjithashtu, përkundër faktit që autoritetet e Kosovës kanë publikuar dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin e Banjskës, në të cilin është vrarë një polic, ndërkombëtarët nuk kanë vënë sanksione ndaj saj dhe kanë kërkuar që dialogu të vazhdojë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img