3.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Rama për konfliktin në Lindjen e Mesme: Terrorizmi s’mund të normalizohet, jam plotësisht në anën e Izraelit

Ndërsa është bërë një javë nga nisja e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, Shqipëria është pozicionuar haptazi përkrah Izraelit. I pyetur nga gazetarja Alice Taylor në podkastin “Inside Albania”, Kryeministri Edi Rama shpjegoi me pak fjalë përse Shqipëria mban këtë qëndrim.

“Në thelb, terrorizmi nuk mund të normalizohet kurrë. Ata që e shohin situatën nga këndvështrime të ndryshme duhet të mos harrojnë se ata njerëz [izraelitët] luftuan për mijëra vite për të pasur një shtëpi dhe për t’u kthyer aty.”

Sipas Ramës, në konfliktin për territor mes palëve, edhe palestinezët meritojnë të kenë një vend që mund ta quajnë shtëpi.

“Absolutisht nuk ka kuptim të kthehesh në shtëpi pa gjetur një zgjidhje që edhe të tjerët të kenë pjesën e tyre në atë hapësirë, të ndërtojnë shtëpitë e tyre. Jemi në një botë të lirë, ku ekziston shansi. Por padyshim nuk ka shanse për ta relativizuar dhe normalizuar situatën, si dhe për të shkuar në ekstremin tjetër. E vetmja mënyrë për të zgjidhur konfliktet është duke punuar shumë për të arritur paqen,” theksoi Rama.

I pyetur nga gazetarja Alice Taylor, nëse është takuar me ambasadoren e Palestinës në Tiranë pas nisjes së sulmeve të Hamasit, Rama u përgjigj kështu:

“Ajo është një grua shumë e këndshme dhe kam shumë respekt për të. Nuk ka kërkuar të më takojë. Nëse më kërkon, do ta takoj me kënaqësi.”

Ndërsa vijojnë sulmet nga të dyja palët, bilanci i viktimave është rritur.

Izraeli i ka bërë thirrje 1.1 milion palestinezëve në Rripin e Gazës të zhvendosen në jug të territorit, ndërsa OKB e ka konsideruar të rrezikshme kërkesën për evakuim në masë.

Mbi 1,300 persona kanë mbetur të vrarë në Izrael që nga nisja e sulmeve të Hamasit, ndërsa bilanci i viktimave në Rripin e Gazës kalon 2,000 të vrarë, pas kundërpërgjigjes izraelite.

Kryeministri ndau edhe një histori të përpjekjes për paqe mes palëve, që Presidenti Bill Clinton ia kishte treguar në darkën e organizuar për nder të vizitës së tij historike në Tiranë në korrik.

“Presidenti Clinton më tregoi se pak javë para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, kishte në tavolinë marrëveshjen më të mirë të paqes mes Izraelit dhe Palestinës. Izraelitët ranë dakord, se do e firmosnin. Yasser Arafat ra dakord, se do e firmoste. Një ditë më pas, Yasser Arafat e telefonoi dhe i tha se pavarësisht faktit që Clinton kishte bërë më shumë se kushdo tjetër për Palestinën, se kjo ishte marrëveshja më e mirë e mundshme, ai nuk do ta firmoste. Clinton e pyeti nëse Arafat ishte i vetëdijshëm se kjo mundësi e artë ndoshta nuk do të vinten më në tavolinë dhe Arafat i tha se e dinte por nuk do firmoste. Shikoni çfarë tragjedie me përmasa të tmerrshme është shpalosur ndër vite, sepse një lider nuk pati guximin dhe trimërinë për t’i dhënë fund,” shtoi Rama, duke sqaruar se Presidenti Clinton i kishte lënë porosi për ta përcjellë këtë histori edhe te “miqtë e tij në Kosovë”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img